Demiral me gola, Günok heroik, Turqia në çerekfinale
2 July, 2024 @23:18
Mbrojtësi Merih Demiral është treguar vendimtar me golat e tij, derisa Turqia ka pasur performancë shumë të mirë ndaj Austrisë së Ralf Rangnickut për të siguruar çerekfinalen e evropanit.
Turqia ka mposhtur Austrinë në përballjen e fundit të së tetës së finales së EURO 2024, për të siguruar biletën e fundit për tetëshen më të mirë të Evropës dhe ndeshjen ndaj Holandës në Berlin më 6 korrik (21:00). Austria - Turqia 1-2 [Gregoritsch 66’ - Demiral 1’, 59’]
Demiral me golin më të shpejt në histori të EURO-ve në fazën knockout, pas 57 sekondave lojë i dha epërsinë Turqisë, ndërsa në minutën e 59-të ishte më i larti në kërcim për të shënuar me kokë për 0-2!
Austria u përgjigj me Michael Gregoritschin për 1-2 (66’) dhe dominoi në minutat në vazhdim por assesi të gjente rrjetën e Mert Günok në portë, i cili krejt në fund të ndeshjes bëri pritje bravoroze për t’ia siguruar kualifikimin e parë të Turqisë në çerekfinale të KE që prej vitit 2008!
Të dyja golat e Turqisë erdhën nga kornerët, të drejtuar nga Arda Guler - ndërsa pritja e momentit të fundit të ndeshjes nga portieri turk, mund të thuhet që ka qenë pritja e turneut deri tash në shpëtim situate!
Në fund, festa e Turqisë me tifozët në tribuna tashmë e mësuar në EURO 2024 u bë edhe sonte, derisa trajneri italian i kombëtares së tyre Vincenzo Montella ishtë ndër më të entuziazmuarit për këtë arritje, pasi që mbeti trajneri i vetëm italian në garë të EUROs ende - edhe pse 5 të tillë ishin në fillim të EUROs [Marco Rossi (HUN), Francesco Calzona (SVK), Luciano Spalletti (ITA) dhe Domenico Tedesco (BEL)].
LOJTARI I NDESHJES NGA UEFA: Merih Demiral - TUR
Shpjegimi i shkurtër: Njeriu që çoi Turqinë në çerekfinalen e parë pas 16 vitesh