PORTUGALIA KALON PAS PENALLTIVE
Penalltitë vendosin, Diogo Costa hero i Portugalisë
1 July, 2024 @23:46
Portieri Diogo Costa është bërë hero i Portugalisë, pasi që ka mbrojtur të trija penalltitë e Sllovenisë derisa në anën tjetër portugezët shënuan tre të parat 0-0 [3-0 pen.] dhe fituan ndeshjen e së tetës së finales të luftuar shumë dhe që kishte momente dramatike, për të siguruar çerekfinalen ndaj Francës!
Costa mbrojti penalltitë e Josip Ilicicit, Jure Balkovecit dhe Benjamin Vrbicit, derisa për Portugalinë shënuan radhazi Cristiano Ronaldo, Bruno Fernandes dhe Bernardo Silva, për të nisur festën e madhe portgueze në Frankfurt.
Gjatë pjesës së rregullt të ndeshjes nuk kishte gola, ndërsa dominimi portugez ndalej nga ekipi jashtëzakonisht luftarak slloven. Në vazhdime dy momente vendimtare u mohuan nga portierët e secilës palë. Së pari, penalltia e fituar (105’) e Portugalisë kur Diogo Jota u faulua në zonë, u mbrojt nga Jan Oblak, që qëlloi anën e shutit të Cristiano Ronaldos, që plasi në vaj pas këtij dështimi.
E në minutën e 115-të të vazhdimeve, një gabim i veteranit Pepe, pa Benjamin Seskon vetë me Diogo Costan, të cilën portieri portugez duke i shtrirë këmbët mbrojti me këpucë goditjen e sulmuesit të ri dhe potencial slloven. Zhgënjimi i të dyja palëve deri në atë moment, u desht të vendosej nga penalltitë. E aty, Portugalia me përvojën e madhe të shutuesve doli më e mirë karshi sllovenëve. Ndërsa Diogo Costa - hero i ndeshjes - u shpall edhe lojtari më i mirë i duelit nga UEFA-ja. Ai gjithashtu hyri në histori duke u bërë portieri i parë në histori të EURO-ve që mbron tre penallti në seri të penalltive.
LOJTARI MË I MIRË I NDESHJES NGA UEFA: Diogo Costa - POR
Shpjegimi: Ai dha paraqitje të mrekullueshme pos penalltive, duke treguar nivel të lartë koncentrimi përgjatë gjithë ndeshjes, për të treguar nivel më të lartë të portierllëkut në ngjarje të mëdha.