Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NGA INTERVISTA E KRYETARIT TË FSHF-së

Duka: Po të ishim më inteligjent, do ta kalonim grupin

Foto: FSHF

Duka: Po të ishim më inteligjent, do ta kalonim grupin


27 June, 2024 @11:53

Në një intervistë dhënë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), kryetari i saj Armand Duka ka folur për EURO 2024 në tërësi, duke treguar si për kualifikimin aty e deri te përshëndetja nga Kampionati Evropian (KE).

Ndër të tjera, Duka ka notuar tifozërinë e kombëtares shqiptare në tre ndeshjet e EUROs me notën dhjetë me yll. Ndërsa Sylvinhon e ka vlerësuar si përzgjedhësin më të mirë që ka pasur deri tash Shqipëria, duke e lënë pas edhe Gianni De Biasin që kishte arritur kualifikimin historik me kuqezinjtë në EURO 2016.

Ai nuk i është shmangur pyetjeve që të përzgjedh edhe më të mirët nga EURO-ja për Shqipërinë.

“Nuk do t’i shmangem asnjë pyetjeje. Na erdhi për mirë goli i shpejtë ndaj Italisë se thyem një rekord. Ne mund të kishim menduar shumë gjëra, por të bënim golin për 23 sekonda ndaj Italisë nuk e menduam kurrë. Silvinjos i vë notë kaluese, pozitive, nuk ka kurrë 10 në futboll. I jap 7. Të parin zgjedh Silvinjon. Ka krijuar atmosferë pozitive në një kohë shumë të shkurtër. I dyti është De Biasi, sepse kemi shkuar në Europian me të për herë të parë. Nga pikëpamja taktike, kam respekt të madh për Oto Baric. Zhgënjimi më i madh nga të gjithë trajnerët është Panuçi, pasi tij, Dosena. Goli më i bukur i shënuar nga lojtarët e Kombëtares në Europian është i Bajramit. Lojtari më i mirë i Europianit nga ekipi shqiptar për mua ishte padiskutim Asllani”. - është cituar të ketë thënë Duka.

Ndërkaq ai nuk është se nuk ka pasur edhe kritika për lojën që sipas tij ka bërë që lojtarët të bien në nivel psikologjik.

“Ka gjëra për të cilat duhet të jemi krenar. Ekipi duhet falënderuar që na çuan atje, jo vetëm ata që ishin në Europian. Paraqitja ishte e mirë, rezultati nuk ishte i mirë. Rezultati do ishte i mirë nëse do ta kalonim grupin. Po të ishim pak më inteligjent do ta kishim kaluar grupin, po të ishim pak më të përgatitur psikologjikisht. Ndeshjen e parë me Italinë pasi shënuam ndoshta ramë në emocion. Goli që në futboll duhet të të lirojë dhe të shkosh përpara, na futi nën presion. Në atë ndeshje mbase duhet të ishim më të përgatitur psikologjikisht. Por në total jam i kënaqur”, – u shpreh ndër të tjera kryetari i FSHF-së, Duka.

Intervistën e plotë të Dukës, mund ta gjeni në faqen zyrtare të FSHF-së.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga Evropiani