DUELI I KARTONËVE
Turqia mposht dhe eliminon Çekinë në duelin e kartonëve
26 June, 2024 @23:24
Turqia ka shënuar edhe fitoren e dytë në Grupin F të EURO 2024, duke e fituar ndeshjen ndaj Çekisë 2-1. Përballja humbi baraspeshën që në fillim të saj, kur mesfushori Antonin Barak mori dy kartonë të verdhë brenda 20 minutave të para të lojës.
Prej atëherë, Turqia mbajti kontrollin e lojës, ndërsa Çekia luftoi në secilin cep të fushës jashtëzakonshëm duke treguar vendosmëri dhe organziim të madh. Sidoqoftë, presioni i vazhdueshëm bëri që mjeshtërisht me të jashtmen, Hakan Çalhanoglu (51’) të shënojë për “çlirimin” e turqve.
Sidoqoftë, mosdorëzimi i çekëve ishte për tu përshëndetur, derisa me 10 lojtarë gjetën barazimin, kur Tomas Soucek shënoi (66’) për 1-1. Ndeshja veçse e tensionuar vazhdoi edhe më me tensione ndërsa referi kryesor i saj, rumuni Istvan Kovacs ndau 18 kartona në ndeshje. 11 të verdha për turqit, 7 të verdha dhe 2 të kuqe për çekët. Kjo e dyta, pasi përfundoi ndeshja. E kur çekët u hodhën krejt në sulm për fitore, pasi që barazimi s’i konvenonte, zëvendësuesi Cenk Tosun shënoi për fitore (90’+4).
Në fund, Turqia siguron të tetën e finales dhe do të luajë ndaj Austrisë, ndërsa Çekia eliminohet nga EURO-ja me ankesa të mëdha në referim!
LOJTARI I NDESHJES NGA UEFA: Baris Alper Yilmaz - TUR