Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

1/8: FRANCA - BELGJIKA

Jobindshëm dhe me autogol, Franca në çerekfinale!

Jobindshëm dhe me autogol, Franca në çerekfinale!


1 July, 2024 @19:52

Fitore minimale, paraqitje jo edhe aq impresive dhe kualifikim në çerekfinale për Francën e Didier Deschampsit.

Sonte nënkampioni në fuqi i Botës triumfoi 1-0 ndaj Belgjikës në Dyzeldorf, për të arritur kështu të futet në mesin e tetë më të mirëve të Evropës.

Pjesa e parë nuk ishte shumë atraktive. Më kërkuese ishte Franca, që rrezikoi disa herë, me gjuajtje kryesisht jashtë portës, ndërkohë Belgjika nuk është se tregoi diçka.

REZULTATET DHE ORARI I NDESHJEVE

Si në pjesën e parë, edhe në të dytën te Franca u panë disa goditje nga distanca të Tchouamenit, e kohë pas kohe edhe disa depërtime e goditje të rrezikshme nga Mbappe, para se të vinte goli.

Në minutën e 85’, Kolo Muani, që mbahet mend mirë për atë shpërdorimin e rastit të artë në çastet e fundit të finales së Kupës së Botës në Katar, arriti që me ndihmën e një devijimi të Jan Verthongen ta shënonte golin e fitores për Francën.

Në anën tjetër, Belgjikës nuk i funksiononte “build-up play” klasik përmes Lukakus, pasi që dyshja franceze Upamecano - Saliba ishte tejet e fortë fizikisht dhe nuk lejonte aspak hapësirë e kohë për sulmuesin belg.

Për t’u përmendur nga pjesa e dytë janë edhe dy pritje impresive të portierit francez Maignan, si dhe një ndërhyrje vendimtare në mbrojtje nga Theo Hernandez ndaj Carrascos.

Në çerekfinale, Franca do të takohet me fituesin nga ndeshja e sontme mes Portugalisë e Sllovenisë.


 
Të gjitha lajmet nga Evropiani