1/8: ANGLIA - SLLOVAKIA
Shpëtimtari Bellingham, Anglia eliminon Sllovakinë pas vazhdimeve
30 June, 2024 @20:40
Tjetër paraqitje e dobët e Anglisë, por megjithatë, falë individëve me cilësi e përvojë, Anglia arriti ta mposhtë Sllovakinë sonte, për të kaluar në çerekfinale të EURO2024.
Pas 120 minutave lojë, Anglia këtë takim e fitoi 2-1, me kohën e rregullt që u mbyll baraz 1-1.
ORARI I NDESHJEVE DHE RRUGA DREJT FINALES
Epërsia sllovake erdhi në minutën e 25’, kur Ivan Schranz shënoi nga afërsia për 0-1. Para se ta gjenin këtë gol, sllovakët patën edhe dy mundësi tjera të mira, që kryesisht vinin nga krahu i djathtë i mbrojtjes angleze, me Kyle Walkerin jo në ditën e tij më të mirë.
Të varur totalisht nga brilianca individuale e yjeve, pa pasur ndonjë plan konkret loje, Anglia në pjesën e dytë pati një gol të anuluar të Foden pothuajse sapo filloi kjo pjesë, e më vonë për t’u përmendur janë një rast i mirë i humbur nga Harry Kane me kokë e një shtyllë e Declan Rice nga distanca.
Megjithatë, nga humbja dhe eliminimi anglezët i shpëtoi Jude Bellingham, i cili shënoi mjaft bukur në minutën e 90+5’ për 1-1, duke treguar pse luan për klubin më të madh në botë dhe duke e çuar kështu ndeshjen në vazhdime.
Momentumin e krijuar nga goli i barazimit, Anglia e ruajti edhe në vazhdime. Me të filluar vazhdimet, Harry Kane shënoi me kokë për 2-1 (91’), gol që i mjaftoi anglezëve për fitore dhe kualifikim. Në pjesën e mbetur të vazhdimeve, Anglia u kualifikua e matur dhe u mbrojt mirë nga tentimet sllovake për barazim.
Kështu, me shumë fat dhe zhagazi, Anglia e sheh veten në çerekfinale, ku e pret Zvicra të shtunën e ardhshme në Dyzeldorf.