HOLANDA E KOEMANIT, ARRIN ÇEREKFINALEN
Goli i hershëm vendimtar, Holanda pas 16 vitesh në çerekfinale
2 July, 2024 @20:12
Holanda duke e mposhtur Rumaninë në ndeshjen e parafundit të së tetës së finales së EURO 2024 ka siguruar një vend në çerekfinale të KE “Gjermania 2024”.
Në përballjen e tetë më të mirëve, Holanda do të pret fituesin e përballjes së orës 21:00 sonte, ku takohen Austria-Turqia. Çerekfinalja e këtij çifti luhet në Berlin më 6 korrik me fillim prej orës 21:00.
Cody Gakpo i ka dhënë epërsinë e hershme Holandës, për ta lehtësuar ekipin dhe më pas për ta kontrolluar plotësisht lojën ndaj rumunëve, që pas pranimit të golit u shthurrën krejtësisht duke mos arritur as të krijojnë më shumë se një rast gjatë minutave të mbetura. Ky gol i hershëm i Holandës mundësoi që ekipi i Koemanit të organizojë, të pushojë dhe të pres kundërshtarin, e bëri që “të portokalltit” të mos vuajnë sikurse Anglia e Portugalia në duelet e tyre të së tetës së finales.
Holanda fitoi ndeshjen me rezultat të thellë në fund, Rumania - Holanda 0-3 [Gakpo 20’, Malen 83’, 90’] pasi që zëvendësuesi Donyel Malen së pari shfrytëzoi habinë e mbrojtësve për të reaguar në topin e siguruar nga Gakpo të cilën Dragusin kujtoi se doli jashtë, derisa krejt në fund në një kundërsulm shutoi nga zona për të vulosur festën dhe sigurimin e çerekfinales për herë të parë që prej EUROs 2008 për “Oranjet”.
Rumania ra krejtësisht nga loja pas minutës së 60-të të ndeshjes, kur u pa pamjaftueshmëria e tyre në kondicion fizik, pasi që më s’mund t’i bënin ballë “tulipanëve” për të bërë diçka më shumë, ku edhe përfundoi rrugëtimi i tyre historik në EURO 2024.
LOJTARI MË I MIRË I NDESHJES NGA UEFA: Cody Gakpo - NED
Shpjegimi: Gol e asist në 1/8 e finales