TREPÇA - YLLI
Radha e Yllit, e gjashta me radhë për Trepçën
27 January, 2018 @19:43
Me fitoren e vendasve është mbyllur takimi mes Trepçës dhe Yllit, takim ky që u luajt në “Minatori” të Mitrovicës. Kjo ishte fitorja e gjashtë me radhë e mitrovicasve në Superligë, gjë që dëshmon formën e mirë që kjo skuadër po e kalon momentalisht.
Të pranishëm në sallë ishin edhe “Torcida”, edhe “Xhebrailat”, dhe të dyja tifozëritë dhuruan një atmosferë impozante, e në fund fitores iu gëzuan vendasit, me ndeshjen që u mbyll me rezultat 67-56.
Me përjashtim të çerekut të dytë, në të cilin Trepça shënoi 11 pikë më shumë se Ylli, ndeshja ishte e barabartë, mirëpo diferenca e bërë në 10 minutëshin e dytë i dha një shtytje të mjaftueshme drejt fitores ‘xehetarëve’, të cilët sonte luajtën pa Samir Zekiqin.
Duhet përmendur që në fillim të çerekut të katërt ndeshja u ndërpre për pak minuta për arsye të cilat Borozani.com nuk i ka kuptuar ende, mirëpo më pas gjithçka iu rikthye normalitetit dhe ndeshja u luajt deri në fund.
Më të dalluarit në këtë fitore të Trepçës sonte ishin Jordan Reed me 19 pikë, 10 kërcime e 3 asistime dhe Besnik Azemi me 13 pikë, 4 kërcime e 1 asistim, derisa me double-double ndeshjen e mbylli edhe Malik London, i cili sonte pati 10 pikë, 14 kërcime e 1 asistim. Te Ylli u veçuan Artin Gashi me 20 pikë e 14 kërcime dhe Michel Harmon me 20 pikë, 2 kërcime e 1 asistim.
Kjo fitore bën që bilanci i mitrovicasve tashmë të jetë 8-9, derisa therandasit mbesin në vendin e tretë me bilanc 10-7.