SIGAL PRISHTINA - KERASAN PRISHTINA
Përvoja sjell fitoren
26 January, 2018 @20:16
Sigal Prishtina ka arritur të shënojë fitore shumë më vështirë sesa që pritej ndaj Kerasan Prishtinës sonte në përballjen hapëse të xhiros XVI të Superligës.
Tri pikë epërsi pas çerekut të parë dhe tri të tjera pas çerekut të dytë, bënë që bardhekaltërit në cilësinë e vendasit të hyjnë me vetëm gjashtë pikë epërsi në pjesë të dytë, 58-52.
Më pas, në çerekun e tretë, me përvojën e vëllezërve Rugova, Alban Veselit dhe kapitenit Edmond Azemi, Sigal Prishtina ka shtuar epërsinë në vazhdim për të arritur drejt fitores, që në fund doli të jetë me rreth 30 pikë epërsi, 113-84.
Rinor Ahmeti me 22 pikë ka qenë lojtari më i dalluar te Kerasan Prishtina sonte. Ai ka shtuar edhe tetë kërcime në llogarinë e tij në ndeshjen ndaj Sigalit.
E te ekipi fitues, Fisnik Rugova me 24 pikë e 15 kërcime ka qenë më i dalluari. Alban Veseli ka shënuar 19 pikë, kurse Graniti ka shtuar 15 pikë e 7 asistime në këtë fitore.
Sigal Prishtina shton bilancin perfekt në 17-0, ndërsa Kerasani mbetet me 4 fitore, kurse numri i humbjeve shkon në 13.