DEKLARATA E TRAJNERIT TE PEJES
Radovic: Vetëm fati na mungoi
28 April, 2021 @0:09
Trajneri i Pejës, Dragan Radovic, pas ndeshjes së humbur sonte nga Ponte Prizreni ndër të tjera ka thënë se ekipit të tij vetëm fati i ka munguar sonte për të dalë fitues.
Në njërën ndër ndeshjet më të mira të stinorit, Ponte Prizreni ka mposhtur Pejën në një përballje dramatike me pikët e Divine Mylesit në vazhdime, ndërsa seria gjysmëfinale e PlayOffit mes këtyre dy skuadrave është barazuar në 1-1.
“Ka qenë shumë ndeshje e mirë dhe të dyja ekipet kanë treguar basketboll të mirë. Ndoshta vetëm fati në fund na mungoi në këtë ndeshje. Pas pjesës së parë jo të mirë, ne u kthyem në pjesë të dytë dhe mu dhimbsën lojtarët për gjithë atë energji të harxhuar që nuk iu shpërblye me fitore në fund. Tash është 1-1, do të shohim se çka ndodh në ndeshjet tjera,” ka thënë malaziasi Radovic.
Sa i përket ndeshjes së radhës, pasi që seria bartet tash në Karagaç pas dy përballjeve të para në Sezai Surroi, Radovic ka thënë:
“Do të shkojë njëjtë gjithçka. Terreni vendas tash s’ka lidhje shumë, pasi që po luajmë pa tifozë. Do të jemi të gatshëm për këto ndeshje.”
Basketbollisti i Ponte Prizrenit Myles në sekondën e fundit të ndeshjes shënoi për tri pikë, duke e bërë rezultatin 112-111, duke i sjellë ekipit të tij fitoren e parë në seri dhe barazimin e saj në 1-1.