RAHOVECI - TREPÇA
Rahoveci ‘shkrin’ Trepçën
31 March, 2019 @19:17
Një çerek i tretë fantastik i Rahovecit 30-4 ka mjaftuar për të përmbysur gjithë punën e bërë në pjesë të parë të lojës nga basketbollistët e Trepçës.
Ndërsa, rikthimi në çerek të katërt u duk i pamundur për mysafirët. Rahoveci ka shënuar fitoren e 16 të stinorit në Superligë dhe me këtë ka siguruar pozitën e tretë edhe matematikisht në fund të stinorit të rregullt.
Pas humbjes nga Ylli, Rahoveci është këndellur plotësisht me fitoren e sotme ndaj Trepçës 82-66 [16-19, 18-26, 30-4 dhe 18-17].
Deshon Minnis ka qenë më i miri te Rahoveci në fitore sot, duke shënuar 23 pikë, 11 asistime dhe 4 kërcime, derisa është ndihmuar edhe nga 25 pikët e Fred Richardsonit që kishte edhe 9 kërcime e 4 asistime në këtë fitore të thellë të vreshtarëve karshi minatorëve.
Lojtari tjetër që arriti të shënojë pikë dyshifrore te Rahoveci ka qenë Arian Qallaku, që dha 16 pikë, bashkë me 4 kërcime e 4 asistime.
Te Trepça, që ishte më e mirë vetëm në pjesë të parë të ndeshjes, më i dalluari ka qenë Aaron Anderson me 12 pikë, 3 asistime e 4 kërcime.
Ndërsa, Samir Zekiqi ishte koshashënuesi më i mirë i ekipit me 15 të shënuara.
Në xhiron e radhës Trepça pret Borean, ndërsa Rahoveci është mysafir në Sezai Surroi ndaj Prizrenit.