PAS FALJES
Reagojnë gjyqtarët
23 December, 2013 @15:06
Qëndrim Demi i cili ishte përjashtuar nga garat e basketbollit përjetësisht për shkak të sulmit ndaj gjyqtarit dy vite më parë, është falur në Kuvendin e fundit të FBK-së me shumicë të votave.
Mirëpo, falja e tij, përkundër shumë reagimeve ka shqetësuar gjyqtarët e basketbollit kosovar, pasi që ata kanë reaguar pas këtij vendimi.
“SHGJBK është e indinjuar me vendimin e kuvendarëve pas faljes së dënimit të basketbollistit Qëndrim Demi,” shkruan në reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës.
Bile, ata kanë pyetur nëse kjo gjë është në rregull, pasi që tash e tutje çdokush mund të sulmojë gjyqtarin në ndeshje, duke ditur që pas 1 apo 2 vjete më së largu, dënimi i tij i përjetshëm, do të falet.
Kërkesa për faljen e Demit kishte kaluar me 17 vota për dhe 12 vota kundër dhe një abstenim në Kuvendin e së shtunës të FBK-së.