EKSKLUZIVE
Referi që u bë trajner
2 November, 2016 @12:33
Disa vite më parë ka qenë ndër referët më të mirë të elitës së basketbollit, ndërsa tash po e ushtron zejen e trajnerit.
Arbnor Rifati është aktualisht ndihmës-trajner i skuadrës së Yllit nga Suhareka, por edhe trajner i ekipit Kalaja nga Prizreni, që bën garë në Ligën e Dytë të Kosovës.
“Referimin e kam pasë trashëgimi nga babai ku kam kaluar gati 14 vite karrierë. E tash i kam hapur një kapitull të ri vetes, duke nisur si trajner,” ka thënë Rifati.
Kryesia e Yllit dhe Agron Berisha i dhanë mundësinë Rifatit, ndërsa ky bashkë me Beqir Berishën (kryetrajner) po udhëheqin ekipin nga Suhareka në sfidat e Superligës.
“Jemi një ekip i mirë dhe po synojmë të arrijmë Play-Offin sipas mundësive. Me Beqir Berishën po na shkon mirë, ndërsa kemi përkrahjen e madhe të Agron Berishës (i suspenduar, v.j.) dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë si staf,” ka vazhduar ai.
Ylli paraqitjen më të mirë e bëri ndaj Bashkimit këtë stinor, duke e çuar ndeshjen deri në vazhdime. Ndërsa aktualisht ekipi ka 1 fitore dhe 3 humbje në Superligë.
Sa i përket Kalajës, aty kryesisht po punohet me të rinjë.
“Te Kalaja besoj që do ta kryejmë stinorin në vend të parë, pasi që ia kemi nisur shumë mirë. Gjithashtu, duhet cekur se nuk ka asnjë lojtar mbi moshën 20 vjeçare, që është një sfidë tjetër interesante,” ka thënë trajneri prizrenas që po kalitet si i ri në këtë zeje.