FERONIKELI - PENZA
Rikthim i madh i Feronikelit, për finale
1 March, 2019 @16:09
Ndeshja e gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në kuadër të Ligës së Parë, ndërmjet Feronikelit dhe Penzës, përfundoi në mënyrë dramatike (80-79).
Skuadra e Penzës ishte shumë afër fitores, pasi që e mbylli pjesën e parë me 16 pikë epërsi, por Feronikeli nuk u dorëzua deri në fund të ndeshjes.
Në 45 sekondat e fundit të ndeshjes, epërsia kalonte herë te Penza e herë te Feronikeli, kurse gabimi jo sportiv i amerikanit të Penzës Mackuei Puondak i kushtoi shumë skuadrës pejane, ngase Desmond Gattis shënoi një herë nga katër tentimet e tij nga gjuajtja e lirë dhe kjo doli të ishte e mjaftueshme për fitore.
Arti Hajdari ishte më i miri te Nikli me 25 pikë, 7 asistime e 5 kërcime, derisa u ndihmua edhe nga Desmond Gattis me 19 pikë të tjera.
Te Penza më i dalluari ishte Mackuei Puondak me 24 pikë e 20 kërcime.
Feronikeli në finale të Kupës së Kosovës në kuadër të Ligës së parë do të përballet me Vëllaznimin të dielën në ora 12:00.