ROAD TO FINAL

Nga ndeshja e kaluar Prishtina-Mornar/ Foto: KB Prishtina/ Q. Ternava
Rrugëtimi drejt finales Prishtina - Mornar
31 March, 2016 @13:40
Dy finalistët e sivjetëm të BIBL kanë pasur duel ndërmjet vete. Ata kanë pasur një stinor kryesisht stabil, hiq një muaj të dobët të Sigal Prishtinës, që u rikthye furrishëm pas Vitit të Ri.
Mëposhtë shikoni udhëtimin e Sigal Prishtinës dhe Mornarit, përmes Borozani.com, drejt finales së ligës ballkanike në stinorin 2015/16.
FAZA GRUPORE
Mornari kishte përfunduar i pari në Grupin A të BIBL në fazën e parë grupore duke e përfunduar grupin me 11 pikë të tubuar dhe me bilanc 5-1, para Sigal Prishtinës, që e kishte përfunduar grupin me bilanc 4-2 dhe me 10 pikë të tubuara.
Më pas, në fazën e dytë grupore Mornar kishte përfunduar përsëri i pari në Grupin C me bilanc 4-2 dhe me 10 pikë të tubuara.
Kurse Sigal Prishtina shkatërroi gjithçka para vetes në fazën e dytë grupore (Grupi D) kur përfundoi 6-0 atë, me pikë maksimale, 12.
FAZA ELIMINATORE
Derisa Sigal Prishtina eliminoi Beroen bullgare në gjysmëfinale, Mornari eliminoi Kozuvin e Gjevgjelisë në gjysmëfinale për të arritur finalen e BIBL.
DUELET E NDËRSJELLA
Në përballjet e këtij stinori në Grupin A që kishte me Sigal Prishtinën, Mornari kishte arritur të mposht Sigal Prishtinën atëherë në krizë.
Basketbollistët e ekipit të Tivarit kishin dalë triumfues në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve me rezultat 62-72, me Austin Chatmanin më efikas dhe dyshen Balsa Radunovic dhe Marko Mijovic.
Në ndeshjen e kthimit, Prishtina i kishte mposhtur ata në Tivar, duke ua shkaktuar humbjen e parë malaziaseve të stinorit në BIBL.
Jason Washburn, Mohamed Abukar dhe Dardan Berisha kishin shkëlqyer në fitoren e Prishtinës 75-86, ku i pari kishte shënuar 27 pikë, ndërsa dy të tjerët nga 24 të tjera.
FINALJA
Tash në një duel krejt tjetër nga ai i stinorit të rregullt, më 12 dhe 20 prill, e gjithë Kosova do të jetë me bardhekaltërit që kërkojnë të mbrojnë titullin e më të mirit në ligën ballkanike, që e fituan vjet në finale ndaj Rilski Sportistit bullgar.