DRILONI

BOROZANI/Erdis Driza
S’frikësohet nga konkurrenca
31 May, 2013 @14:43
Kalimi i Drilon Hajrizit në Pejë nga Trepça përveç se bëri bujë për shkak të rëndësisë së basketbollistit, por edhe ngjalli të gjitha klubet që të mos rrinë të qetë gjatë verës.
Vetë Driloni në një bisedë me portalin tonë ka cekur edhe njëherë se qëllimi i tij është që të luftojë për tituj.
Ndërkaq në pyetjen tonë se a e frikëson konkurrenca në ekip, pasi që Peja ka lojtarë për çdo pozitë, bile së paku nga dy sosh, ai ka pranuar se këtë nuk e sheh problem pasi që e do vetë atë.
“Konkurrencës në ekip nuk i frikësohem aspak. Unë vetë kam dëshirë që të ketë konkurrencë në ekip - ashtu që të gjithë basketbollistët atëherë japin maksimumin për të qenë pjesë e ekipit startues dhe të marrin minutazhë më të madhe në ndeshje,” ka thënë Driloni.
Peja ka kontrata gati me të gjithë basketbollistët ekzistues të saj dhe përflitet ardhja e Endrit Hysenagollit aty, që është bashkë me Gerti Shimën, njëri ndër basketbollistët më të mirë të përafqësueses shqiptare.
A do të mund dikush t’i bëj ballë Pejës stinorin tjetër, nëse Peja vazhdon me transfere të tilla?!
“Peja në çdo pozitë ka nga tre lojtarë cilësorë dhe lirisht mund të them se Peja është sikur një reprezentacion,” ka vazhduar basketbollisti 203 centimetra i gjatë.
A do ta ndalë ndonjë ekip Pejën stinorin tjetër?!
“Nuk ma merr mendja. Mendoj se me një trajner cilësor gjithçka do të hyjë në vend të vetin dhe do të kompletohet mozaiku i ekipit fitues,” ka përfunduar mitrovicasi, i cili ka qenë basketbollisti më i mirë i Kosovës në stinorin e kaluar 2011/12.
Driloni në fillim të stinorit ka qenë i kërkuar nga Bashkimi i Prizrenit, por prizrenasit nuk patën mundësi që të paguajnë dëmshpërblimin e kërkuar nga Trepça. Ai kishte edhe oferta nga jashtë vendit, si Hungaria dhe Portugalia. Mirëpo, ftesa pejane dhe lufta për trofe në çdo front e të verdhëve të Pejës - e mbajti atë në Kosovë.