FITORE E THELLË!
Shpërthejnë në pjesë të dytë, Dinamo mban hapin me kreun duke demoluar Flamurtarin
22 September, 2024 @21:57
Përkundër iniciativës në pjesë të parë rrjetat heshtën. As Flamurtari vendas, as Dinamoja mysafire nuk shënuan, për të shkuar në pushim pjesëlojësh me barazim pa gola, 0-0.
Mirëpo, në pjesë të dytë ekipi i drejtuar nga Burim Qerkini shpërtheu dhe në 30 minutat e fundit të ndeshjes shënoi 6 herë për të mposhtur thellë Flamurtarin, ashtu që t’ua shtojë krizën atyre.
Ka qenë Kenan Orana që hapi serinë e golave për Dinamon, ndërsa më pas Ramush Ramadani, shtoi epërsinë për t’i rrëzuar nga ndeshja vendasit, që në fund pësuan thellë: Flamurtari - Dinamo 0-6 [Kenan Orana 60’, Ramush Ramadani 62’, Almedin Klinaku 73’, Besmir Fetahu 76’, Orges Mehmeti 85’, Eltion Misini 89’].
Fitorja bën që Dinamo të mbajë hapin me kreun e renditjes në Ligën e Parë - Grupi B, Prishtinën e Re. Pas 5 xhirove të luajtura, Dinamo e dyta në renditje ka 13 pikë, 2 më pak se liderja, ndërsa Flamurtari është i fundit në renditje me 5 humbje nga 5 xhirot e para dhe 0 pikë, me trajner Faruk Statovcin që ka paralajmëruar dorëheqjen pas kësaj ndeshjeje.