Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KUPA E KOSOVËS / PEJA - RAHOVECI

Shpërthim në pjesën e dytë, Peja në finale!

TOPSPORTI / A.P

Shpërthim në pjesën e dytë, Peja në finale!


13 February, 2020 @21:02

Pas Yllit, finalisti i dytë i Kupës së Kosovës për sezonin 2019/2020 është Peja. Në ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit Adis Beciragic, ndeshje që u luajt në një atmosferë fantastike sportive falë dy tifozërive të pranishme në sallë, pejanët e mposhtën Rahovecin vendas me rezultat 90-82, për ta arritur kështu finalen e garës.

Ishte skuadra e Rahovecit ajo që krijoi epërsi 6 pikëshe pas çerekut të parë, 14-22, ndërsa Peja e ngushtoi rezultatin në të dytin, për të shkuar në pushim me rezultat 39-35 në të mirë të rahovecianëve. Vlen të theksohet se në këtë pjesë pejanët patën përqindje tejet të dobët nga gjuajtjet për 3 pikë. Nga gjithsej 15 tentime, ata shënuan vetëm një herë, përderisa Dardan Berisha, lideri i skuadrës, pati 0 shënime nga 6 tentimet e tij për 3 pikë në këtë pjesë. Gjithsesi, gjithçka “u mbulua” në pjesën e dytë, me Dardanin që bashkë me gjithë Pejën “u zgjuan” nga gjumi.

SKEMA E KUPËS

Çereku i tretë filloi shumë mirë për Pejën. Me një seri 7-0 me të filluar ky 10-minutësh, Peja filloi ta marrë ndeshjen në dorën e saj. Me mbrojtje tejet të mirë dhe me sulme të shpejta e efikase Peja në çerekun e tretë u tregua e papërmbajtshme dhe shënoi plot 37 pikë, ndërkohë që pësoi vetëm 18, për të shkuar kështu në çerekun e fundit me epërsi të lartë, 72-57.

Në 10-minutëshin e fundit, Rahoveci me një seri 9-1 e ngushtoi paksa rezultatin, mirëpo Peja e menaxhoi mirë vazhdimin e ndeshjes dhe në fund triumfoi me rezultat 90-82.

Richard Jackson me 24 pikë e 10 kërcime ishte më i miri te Peja sonte, kurse te Rahoveci, organizatori i garës, edhe sonte më së shumti u veçua Darell Davis, lojtar ky që luajti me 33 pikë, 6 kërcime e 4 asistime.

Duhet përmendur që Rahoveci, si ndaj Treoçës, edhe sonte ishte pa Alban Veselin, i cili mungoi për shkak të lëndimit.

Finalja mes Pejës dhe Yllit luhet të shtunën (15 shkurt) me fillim nga ora 20:30, finale e cila pas 4 viteve do ta na dhurojë një fitues tjetër të Kupës, pasi që kjo garë në katër vitet e fundit ishte fituar nga Prishtina.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga