KERASANI - PEJA
Shpëton Peja!
22 April, 2018 @20:37
Në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll, Peja ka shënuar fitore ndaj Kerasanit, për ta siguruar kështu qëndrimin në Superligë sezonin tjetër pa pasur nevojë të luajë në Play Out.
Humbja e djeshme e Boreas nga Ylli ia mundësoi Pejës që me fitoren e sotme ta sigurojë mbijetesën, ndërsa përmes barazhit mbijetesën do t’i duhet ta luftojë Borea, skuadra tjetër pejane.
Takimi i zhvilluar sonte kaloi me luftë mjaft të fortë sidomos në 3 çerekët e parë, mirëpo në 10 minutëshin e fundit skuadra pejane, e udhëhequr nga treshja Grapci-Kovaqi-Kadusha, u tregua më e përqëndruar dhe ndeshjen e mbylli me fitore 77-89. Treshja e lartpërmendur shënoi 72 nga 89 pikët e pejanëve, duke qenë më meritorja për shpëtimin e skuadrës.
Më të dalluarit në këtë fitore të Pejës sonte ishin Rron Grapci me 28 pikë, 11 kërcime e 1 asistim, Beqë Kovaqi me triple-double prej 22 pikëve, 11 kërcimeve e 10 asistimeve dhe Blendi Kadusha me 22 pikë, 7 kërcime e 3 asistime, derisa te Kerasani, skuadra që tashmë ka rënë nga elita e basketbollit kosovar, sonte u veçua Rinor Ahmeti me 21 pikë, 4 kërcime e 2 asistime.