FINAL SERIES GAME 1: RAPTORS vs WARRIORS
Siakam brilant, Raptors godet në ndeshjen e parë
31 May, 2019 @10:48
Dy herë mbrojtësi i titullit të kampionit në NBA, s’pat gjasa të mëdha para një mbrojtjeje të fuqishme dhe u mposht në duelin e parë të serisë finale!
Tash, Toronto Raptors ka epërsinë 1-0 në finale, por kjo nuk do të thotë që do të kemi sigurt një befasi deri në fund të serisë, përveç që definitivisht treguan se Golden State Warriors pa Kevin Durantin mund të mposhtet!
Pascal Siakam shkëlqeu në duelin e parë final duke shënuar 32 pikë, 8 kërcime e 5 asistime në fitoren 118-109 të Raptors.
Start perfekt për ekipin që arrin për herë të parë në histori të klubit finalen e madhe të NBA. Raports ishin më agresivë gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa 52 pikë bashkë shënuan Siakam dhe Marc Gasol.
Edhe pse Steph Curry shënoi 34 pikë, dyshja Gasol-Siakam zbuti mbrojtjen e Warriors me lojën e treguar. Raports kishte përgjigje për secilën pjesë të ndërrimit të lojës që aplikoi Warriors.
Curry u ndjek gjatë gjithë lojës. Dyfishohej në çdo moment, ndërsa i vështirësohej edhe pick & rolli. Po, ai shënoi 34 pikë, mirëpo 14 prej tyre i nxorri prej gjuajtjeve të lira - që e ndalën atë për të bërë lojën e tij të zakonshme, që e përfundoi me 5 kërcime e 5 asistime shtesë.
“Siakam ka qenë brilant sonte,” ka thënë Steve Kerr, trajner i Warriors pas ndeshjes.
Siakam përfundoi ndeshjen me 82% saktësi nga loja.
“Mendoj se ai luan me energji të jashtëzakonshme, dhe besoj që kjo do t’i duhet më së shumti kësaj serie,” ka thënë Nick Nurse, trajner i Raptors, para ndeshjes.
Dray Green luajti me triple-double: 10 pikë, aq kërcime e po aq asistime.
“Pjesën e vet e luajti edhe tifozëria. Për këtë ata janë aty, njeri! Për këtë ndeshja luhet në shtëpi dhe jashtë dhe tifozët tanë kanë pjesën e tyre të kontributit në këtë fitore,” ishin fjalët e Nurse pas fitores.
Dueli i radhës, të hënën më 3 qershor në ora 2 të mëngjesit. Toronto përsëri vendas në serinë që kërkon katër fitore për titull.