GRUPI C: SPANJA - MALI I ZI
Spanja me lehtësi, Gasol kalon Nowitzkin
1 September, 2017 @20:28
Me lojë të bukur dhe dominim të plotë, përfaqësuesja e Spanjës në basketboll ka shënuar fitore ndaj Malit të Zi në takimin që u zhvillua në kuadër të Grupit C.
Spanjollët e dominuan takimin në çdo aspekt, ndërsa rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 99-60, rezultat i cili na bën të kuptojmë që një Spanjë e fortë i pret kundërshtarët në këtë kampionat evropian.
ORARI DHE GRUPET - EUROBASKET 2017
Më i dalluari te Spanja sonte ishte Willy Hernangomez me gjithsej 18 pikë, derisa duhet përmendur që 10 pikët e shënuara nga Pau Gasol sonte bëjnë që legjenda spanjolle ta kalojë Dirk Nowitzkin në listën e koshashënuesve më të mirë në histori të kampionateve evropiane. Tashmë Gasol ndodhet në vendin e dytë me 1054 pikë, ndërsa para tij ndodhet vetëm Tony Parker me 1104 pikë. Me Tony Parkerin që nuk merr pjesë në këtë kampionat, me shumë gjasa Gasol do ta mbyll këtë evropian si koshashënuesi më i mirë në histori të kampionateve evropiane në basketboll.
Sa i përket malazezëve, në humbjen e sontme u veçuan Vucevic me 16 pikë dhe Pavlicevic me 13 sosh.