Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TE MESHKUJT E FEMRAT

Stinori 2019/20 përfundoi sot

Stinori 2019/20 përfundoi sot


31 March, 2020 @15:53

Ka përfunduar sot stinori 2019/20 i Superligës së Kosovës në basketboll te meshkujt dhe te femrat, ka bërë të ditur edhe zyrtarisht FBK-ja para pak çastesh.

Kampionë nuk do të ketë këtë vit.

“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) duke i parë zhvillimet e fundit me pandeminë COVID-19, në bazë të kompetencave të veta statutare, sot unanimisht ka marrë vendim që të anulojë garat në Superligën e Kosovës dhe Superligën e Femrave për edicionin 2019/20 dhe me këtë rast nuk do të shpallen kampionët e këtyre dy kompeticioneve,” bën të ditur njoftimi i FBK-së që mban emrin e kryetarit të saj, Arben Fetahu.

Në ndërkohë, sa i përket garave tjera, do të vendoset në muajin e ardhshëm.

“Bordi i FBK-së do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet që ndërlidhen me pandeminë COVID-19 dhe gjatë muajit prill do të vendos për vazhdimin apo jo të garave të tjera në kuadër të FBK-së,” bën të ditur njoftimi.

Kështu, siç bëri të ditur edhe klubi i Rahovecit dje, garat për këtë stinor në elitë të basketbollit kanë përfunduar, derisa kampion të stinorit nuk do të ketë, si te meshkujt as te femrat.

Lider te meshkujt ka qenë Prishtina në një garë që parashihej të ishte më interesantja në 10 vitet e fundit.

Ndërsa te femrat kryesues ka qenë ekipi i Bashkimit.

 


 
Të gjitha lajmet nga