ATDHE NUHIU PENSIONOHET
Sulmuesi i Kosovës, i jep fund karrierës në moshën 35 vjeçare
14 October, 2024 @22:05
Njëri ndër sulmuesit e parë të ardhur te Kosova pas pranimit në UEFA e FIFA, i ka dhënë fund sot karrierës së tij si futbollist profesionist. Ai nuk do të mbetet jashtë futbollit, derisa do t’ia nis punës menjëherë si ndihmës-trajner i futbollit.
Atdhe Nuhiu që u bë pjesë e Kosovës që prej vitit 2017 dhe ka shënuar tre gola në 19 ndeshje për Dardanët, sot edhe zyrtarisht i dha lamtumirën futbollit aktiv në moshën 35-vjeçare, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Instagram, të shkruar në tre gjuhë: gjermanisht, anglisht dhe shqip.
Nuhiu që u rrit në Austri dhe ishte pjesë e kombëtares austriake të futbollit deri te U-21’shet, ka luajtur për disa skuadra, ndërsa pjesën më të ndritshme të karrierës e kaloi në Angli, duke qenë pjesë e ekipit të Sheffield Wednesday për tetë stinorë, kurse më parë luajti edhe te Austria Karnten, Ried, Rapid Vienna, Eskisehirspor, APOEL dhe së fundi Rheindorf Altach.
“Prej vitit 2017 deri më vitin 2021 kam pas nderin ta përfaqësojë vendin tim 19 herë. Jam veçanërisht krenar që kam përfaqësuar një shtet me të kaluar të vështirë në historinë e vetë ndërkombëtare. Ka qenë privilegj të vesh fanellën dhe ta përfaqësojë ekipin kombëtar në fushë futbolli,” ka shkruar ai, ndër të tjera në paragrafin e theksuar për Kosovën.
Nuhiu për Kosovën golin e parë e shënoi në kualifikime për Botërorin “Rusia 2018” në ndeshje ndaj Islandës, 1-2. Ai më pas shënoi në fitoren e Kosovës ndaj Ishujve Faroe në kuadër të Ligës së Kombeve 18/19, ndërsa golin e fundit ia dha Çekisë në humbjen 2-1 në vitin 2019.