PEJA @ FINAL FOUR 2017
Ta sjellim trofeun në Pejë
16 February, 2017 @11:17
Alban Veseli Kupën e fundit me Pejën e ka fituar në Final Four të vitit 2015 të zhvilluar në Suharekë.
Peja kishte mposhtur Sigal Prishtinën në finale, ndërsa Shqiponjat pushtuan palestrën “13 qershori” për të festuar Kupën me skuadrën.
Kësaj radhe, Pejën e pret Bashkimi në gjysmëfinale, për të kërkuar finalen e mundshme.
“Në këto ndeshje nuk ka favorit fare, sepse është vetëm një lojë dhe një ditë jo e mirë do të na kushtonte me diskualifikim,” ka thënë Alban Veseli në bisedën ekskluzive me Borozani.com para Final Four 2017.
Alban Veseli është i njohur me shënimet e tij nga distanca. Njëri ndër basketbollistët më të mirë vendor që kanë verdhezinjtë ka mesatare prej 15.3 pikëve për ndeshje këtë stinor.
Sa i përket rivalit në gjysmëfinale, Bashkimit, Veseli tregohet i matur. Ndeshja zhvillohet të premten më 17 shkurt nga ora 16:00)
“Nuk kemi luajtur asnjë lojë këtë edicion kundër Bashkimit dhe kjo e bën edhe më të paqartë gjysmëfinalen,” ka shtuar Veseli 27 vjeç, njëkohësisht basketbollist i reprezentacionit të Kosovës.
Synimet e Pejës gjithmonë janë trofetë dhe ekipi po kërkon që ta kthejë titullin e fituar 2 vite më parë në kolekcionin e skuadrës.
“Të premten shkojmë në ndeshje për fitore. Të kalojmë në finale dhe ta sjellim trofeun e Kupës në Pejë,” ka thënë i vendosur Veseli.
Peja ka triumfuar dy herë në Kupë të Kosovës në 6 vitet e fundit. Verdhezinjtë kanë fituar Kupën në vitin 2011 dhe 2015. Vitin e kaluar ata u mposhtën në finale.