RUMANIA - KOSOVA
Të dukshme mungesat, Kosova mposhtet në Rumani
29 November, 2018 @18:53
Në ndeshjen e saj të dytë në kuadër të fazës parakualifikuese drejt EuroBasket 2021, Kosova u mposht me rezultat të ngushtë 88-83 nga përfaqësuesja e Rumanisë. Në këtë takim Kosova ishte në mungesë të Scott Bamforthit, Erjon Kastratit dhe amerikanit të ri të natyralizuar Malcolm Armstead, ndërsa nga ajo që pamë sonte, mund të thuhet që pa mungesa Kosova me shumë gjasë do ta fitonte këtë përballje.
Gjatë pjesës së parë, Kosova ishte gjatë gjithë kohës në epërsi të lehtë, mirëpo disa gjuajtje të sakta të vendasve për tri pikë në fund të çerekut të dytë, bënë që pjesë e parë të mbyllej me rezultat të barabartë, 35-35.
Në çerekun e tretë, duke qenë më të mirë sa i përket kërcimeve në sulm dhe gjuajtjeve të sakta për tri pikë, rumunët arritën që ta merrnin epërsinë dhe ky çerek u mbyll me shifrat 59-53. Epërsinë e krijuar pas çerekut të tretë, përfaqësuesja e Rumunisë nuk e lëshoi deri në fund dhe arriti ta mbyllë ndeshjen me fitore. Ishin përsëri trepikëshat ata që u treguan vendimtarë në fitoren e vendasve, ndërsa Kosova, edhe pse luftoi deri në sekondat e fundit dhe e ngushtoi tejet shumë disavantazhin, dështoi të shënonte pikë në momentet më kritike të ndeshjes, për t’u detyruar kështu të pajtohet me humbje.
Më i dalluari në këtë humbje të Kosovës sonte ishte Lis Shoshi, i cili zhvilloi një ndeshje fantastike personale me 29 pikë e 18 kërcime, kurse te Rumania u veçua Giordan Watson me 19 pikë, 4 asistime e 3 kërcime.
Ndeshjen e ardhshme në kuadër të parakualifikimeve drejt EuroBasket 2021 Kosova e luan ndaj Maqedonisë më 2 dhjetor në Gjevgjeli, përfaqësuese kjo që na ka mposhtur me rezultat 73-76 në ndeshjen e luajtur në Prishtinë.