MALCOLM ARMSTEAD
I natyralizuari i ri, lëndohet
26 November, 2018 @23:24
Kosova ka regjistruar së fundi një përforcim të ri në reprezentacion, duke shtuar në skuadër amerikanin Malcolm Armstead, si kosovar të ri të natyralizuar.
Armstead 29 vjeç që aktualisht luan për Büyükçekmecen në Superligën turke, është playmaker, 185 centimetra i gjatë dhe njihet si lojtar preciz.
Ai së fundi është lënduar në xhiron e fundit dhe nuk dihet nëse do të mund t’i ndihmojë Kosovës në përballjet e rëndësishme, ku pritet edhe të debutojë.
Njoftimin e ka konfirmuar edhe Federata e Basketbollit të Kosovës sot.
“Lajmi i keq për Kosovën është lëndimi i plejmejkerit amerikan Malcolm Armstead, paraqitja e të cilit është në dyshim, pasi që amerikani i natyralizuar së fundi është lënduar në fundjavë në ndeshjen e ekipit të tij, Büyükçekmece në kuadër të Superligës së Turqisë,” ka shkruar njoftimi i botuar në faqen zyrtare të Federatës sot.
Kosova më 29 nëntor do të përballet me Rumaninë në qytetin Oradea, kurse më 2 dhjetor në Gjevgjeli do të ballafaqohet me Maqedoninë.
Kosova më 13 shtator në shtëpi të vet është mposhtur nga Maqedonia me rezultat 76:73, derisa kjo e fundit ka triumfuar edhe ndaj Rumanisë me shifrat 90:76 dhe kështu i prin Grupit B.
Kosova në ndeshjen e fundit në kuadër të kësaj faze parakualifikuese do të përballet me Rumaninë në Prishtinë më 24 shkurt 2019.
Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për Eurobasket 2021 që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy kombëtaret e tjera e kanë edhe një shans tjetër për t’u kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019.