DARDAN BERISHA
Shkojmë me maksimumin tonë
26 November, 2018 @23:31
Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, është shprehur të jetë atmosferë e mirë aktualisht në skuadër, ndërsa shpreson që duke dhënë maksimumin, të nxjerrin më të mirën nga dy ndeshjet e rëndësishme kualifikuese për vendin.
“Kemi filluar me përgatitje, ndërsa që po presim të na bashkohen edhe basketbollistët tjerë. Atmosfera është shumë e mirë. Sigurisht që të gjithë do ta japim maksimumin tonë dhe shpresojmë të paraqitemi sa më mirë në këto ndeshje shumë të rëndësishme,” ka thënë Dardan Berisha, shkruan FBK sot.
Kosova më 29 nëntor do të përballet me Rumaninë në qytetin Oradea, kurse më 2 dhjetor në Gjevgjeli do të ballafaqohet me Maqedoninë.
Kosova më 13 shtator në shtëpi të vet është mposhtur nga Maqedonia me rezultat 76:73, derisa kjo e fundit ka triumfuar edhe ndaj Rumanisë me shifrat 90:76 dhe kështu i prin Grupit B.
Kosova në ndeshjen e fundit në kuadër të kësaj faze parakualifikuese do të përballet me Rumaninë në Prishtinë më 24 shkurt 2019.
Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për Eurobasket 2021 që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy kombëtaret e tjera e kanë edhe një shans tjetër për t’u kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019.
Ekspedita e Kosovës është duke zhvilluar përgatitjet për këto ndeshje në Debrecen të Hungarisë dhe një ditë para ndeshjes do të merr rrugë për Rumani.