FILLOJNË BISEDIMET
Thomas Tuchel pritet të bëhet përzgjedhës i finalistit të EUROs
15 October, 2024 @15:33
Trajneri gjerman, Thomas Tuchel, mund të nis një karrierë te ekipet kombëtare. Ish-trajneri i Borussia Dortmundit, Paris St Germainit, Chelseat dhe Bayernit, është vërtetuar të ketë bërë bisedime me Federatën e Futbollit të Anglisë, për të marrë detyrën e përzgjedhësit të “albionëve”.
Njoftimin e ka dhënë BBC Sport pak më parë, ndërsa Tuchel që aktualisht nuk është duke punuar me ndonjë skuadër, si trajner i lirë është duke e konsideruar detyrën. Anglia, aktualisht është duke u drejtuar nga ndihmësi i parë i të dorëhequrit Gareth Southgate, Lee Carlsey.
Anglia ka arritur suksese të dukshme nën drejtimin e Southgate, duke arritur dy herë finalen e EURO-ve në 2021 dhe 2024. Anglia humbi të dyja finalet, njëherë nga Italia e pastaj këtë vit nga Spanja, që bëri Southgate-in të jep dorëheqje nga posti i tij. Përndryshe, Anglia është duke garuar aktualisht në Ligën B të Kombeve dhe është pas Greqisë në renditje para ndeshjeve të nëntorit.
Tuchel 51 vjeçar, do t’i nevojitet Anglisë për të marrë drejtimin e përfaëqsueses së tyre përgjatë kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, të cilat nisin nga marsi i vitit 2025. Shorti për fazën grupore kualifikuese të Botërorit pritet të hidhet në dhjetor të këtij viti.