ALEKSANDAR TODOROV
Todorov: Basketbolli luhet 40 minuta, ne luajtëm 30
19 February, 2017 @22:00
Trajneri i Pejës, Aleksandar Todorov, pas humbjes në finale ndaj Prishtinës ka qenë kritik.
Ai ka thënë se ekipi i tij ka luajtur 30 minuta basketboll, ndërsa basketbolli luhet 40 minuta. Kjo ka qenë edhe arsyeja sipas tij që Peja humbi finalen e Kupës dhe nuk arriti ta merr trofeun në drejtim të “Karagaçit”.
“Basketbolli është lojë që luhet 40 minuta, ne luajtëm vetëm 30 minuta. Pas asaj lejuam një njeri që të na shënojë 5 treshe dhe erdhi humbja,” ka thënë Todorov për mikrofonin e Supersport pas ndeshjes.
“Kemi qenë të përgatitur shumë mirë, kemi mbyllur mirë lojtarët e tyre nën kosh, thjesht gjithçka shkoi mirë dhe ishte nën kontroll për 30 minutat e para,” ka shtuar ai ndër të tjera.
Peja u mposht nga Prishtina në finale të Kupës së Kosovës, 77-66. Ndërsa vetëm 2 minuta e 58 sekonda para fundit të ndeshjes, rezultati ishte barazuar nga Cameron Rundles i Pejës në 63-63.
Kujtojmë, Peja rrezikoi shumë edhe në gjysmëfinale ndaj Bashkimit, kur në çerekun e fundit lejoi ekipin prizrenas që të afrohet në 2 e 4 pikë para se të fitojë në fund dhe të arrijë finalen.