TEAM OF THE WEEK

TOP 5-shja e javës në Ligën e Parë (10)
9 February, 2020 @14:09
Pas ndeshjeve të përfunduara të xhiros së dhjetë në Ligën e Parë në basketboll, TopSporti.com ka përzgjedhur pesëshen e javës bazuar në performancat individuale të lojtarëve.
Ekipin e javës e përbëjnë: Arion Balluku (Vëllaznimi), Terrick Phillips (Vëllaznimi), Erhan Sholla (Vushtrria), Nderim Januzaj (Istogu) dhe Dion Haxhosaj (AS Prishtina).
Vëllaznimi ka vazhduar epitetin e të pamposhturit edhe në xhiron e 10 në Ligën e Parë, duke e mposhtur Dritën me rezultat 106-89.
Më të mirët për skuadrën gjakovare ishin Arion Balluku dhe Terrick Phillips. Balluku ishte shumë afër shifrave magjike triple-double. Ai luajti me 22 pikë, 12 asistime, 9 kërcime e 4 topa të rrëmbyer, derisa Phillips në ndeshjen e tij debutuese me Vëllaznimin u paraqit me 25 pikë, 4 kërcime e 2 asistime.
Erhan Sholla i Vushtrrisë, ishte më i miri në fitoren e skuadrës kundër Marigona Hill Prishtinës. Sholla shënoi shifrën më të lartë të xhiros (37 pikë), derisa luajti edhe me 4 kërcime, 3 topa të rrëmbyer e 2 asistime.
Istogu me vështirësi e mposhti skuadrën më të dobët aktualisht në Ligën e Parë, Borean. Më i dalluari te Istogu ishte Nderim Januzaj, i cili luajti me double-double prej 17 pikëve e 19 kërcimeve.
Njëri ndër lojtarët më të mirë të AS Prishtinës, Dion Haxhosaj, me përformancën e tij përsëri gjeti vend në pesëshen e javës. AS Prishtina e mposhti New Basktin, derisa Haxhosaj luajti me 22 pikë, 9 kërcime e 2 asistime.