TOP 5 / KUPA E KOSOVËS
TOP 5-shja e Kupës së Kosovës (Superliga)
7 March, 2019 @14:15
Kupën e Kosovës sivjet e fitoi skuadra e Prishtinës, duke e mposhtur Rahovecin në finale me rezultat 96-60. Kjo skuadër në katër vitet e fundit është duke e fituar Kupën e Kosovës.
TopSporti.com ka përzgjedhur pesëshen e Kupës së Kosovës, bazuar në performancat individuale të lojtarëve.
Ekipin e Kupës e përbëjnë: Clayton Everett (Ylli), Dardan Berisha (Prishtina), Frederick Richardson (Rahoveci), Rodney Bullock (Prishtina) dhe Khalid Boukichou (Prishtina).
Sivjet për herë të parë është luajtur edhe ndeshja për vendin e tretë, vend të cilin e fitoi skuadra e Yllit duke e mposhtur Prizrenin me rezulat 91-67.
Rolin kryesor në këtë sukses të Yllit luajti Clayton Everett. Ai në tre ndeshjet e zhvilluara luajti me mesatare prej 26 pikëve, 6.6 kërcimeve e 4 asistimeve për ndeshje.
Këtë vit Kupa e Kosovës u organizua në palestrën e re “Mizahir Isma”, ndërsa Rahoveci këtë organizim e zbukuroi duke arritur në finalen e Kupës, por pësoi nga Prishtina me rezultat 96-60. Lojtari më i dalluar te vreshtarët ishte Frederick Richardson.
Richardson deri në finale luajti me mesatare prej 23 pikëve, 11.3 kërcimeve dhe 2.3 asistimeve për ndeshje, në suksesin historik të Rahovecit.
Nga fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina, 3 lojtarë u zgjodhën në pesëshen e Kupës nga TopSporti.com.
Dardan Berisha, që luajti vetëm në dy ndeshje, nuk luajti kundër Yllit, është zgjedhur MVP i finales, duke luajtur me mesatare prej 16.5 pikëve, 4 asistimeve e 2 kërcimeve për ndeshje.
Rodney Bullock, një tjetër lojtar i Prishtinës, me mesatare prej 17.6 pikëve, 8.3 kërcimeve e 2.6 asistime, hyri në TOP 5shen e Kupës.
Pesëshen e Kupës e përmbyll qendra gjigande e Prishtinës, Khalid Boukichu, i cili luajti me mesatare 10.3 pikëve, 9.3 kërcimeve dhe 2.6 asistimeve për ndeshje.