PAS NDESHJES
Trajneri i Tiranës tregon arsyet e humbjes në çerekfinale
7 April, 2021 @20:57
Skuadra e Tiranës u mposhtë në çerekfinale të Ligës Unike nga skuadra Goga Basket, për t’u përshëndetur nga kjo garë që në ndeshjen e parë.
Trajneri i Tiranës, Erkand Karaj, i cili dikur ka qenë pjesë e Prishtinës si lojtar, pas ndeshjes tha se humbja erdhi si shkak i mungesave dhe emocioneve ndaj ligës.
“Në fillim e nisëm lojën me mendësi jo fituese dhe me butësi. Kjo erdhi si rrjedhojë e ambientit të ri, emocioneve të ligës, por përveç kësaj ndikoi edhe mungesa e Gerti Shimës dhe Majk Vaqarrit, që janë dy nga lojtarët tanë kryesorë. Ne nuk kemi lojtarë të huaj dhe mbështetemi te forcat vendase. Rotacioni i shkurtër dhe shkrirja e disavantazhit të lartë në çerekun e tretë shkaktoi lodhje të madhe, duke mos lënë rezerva për çerekun e katërt”, tha Karaj.