PARA NDESHJES SË KTHIMIT
Trajneri i Tsmokit kërkon kujdes nga lojtarët
21 September, 2017 @9:23
Trajneri i ekipit të Tsmoki Minskut, Aliaksandr Krutikau, ka kërkuar kujdes nga lojtarët e tij, para ndeshjes së kthimit që sonte zhvillohet në Misnk, ndërmjet ekipit të tij dhe Sigal Prishtinës.
Tsmoki e fitoi Prishtinën në ndeshjen e parë në Kosovë, me 7 pikë epërsi, ndërsa Krutikau për faqen zyrtare të ekipit bellorus ka thënë se lojtarët duhet të kenë kujdes gjatë ndeshjes.
“Mos harroni që janë vetëm 7 pikë epërsi, që në basketboll nuk do të thotë asgjë. Duhet të jemi të fokusuar në ndeshje prej minutës së parë deri te ajo e fundit ashtu që të dalim fitues nga ky duel,” ka thënë Krutikau, për bc-tsmoki.by.
Sigal Prishtina, që ka udhëtuar e kompletuar në Minsk dhe ka arritur dje atje, sonte do të kërkojë që të shënojë fitore me 8 pikë ose më shumë dallim ndaj skuadrës bjelloruse, ashtu që të sigurojë raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve në basketboll.
Bardhekaltërit kampionë të Kosovës, janë duke debutuar në këtë garë, që është më prestigjiozja e organizuar nga FIBA Europe.