OPINION
Talentët e rinj
Shkruan: LEART HOXHA
19 September, 2017 @20:37
Njerëzit që kanë qenë në kryesi ose shtab teknik të KB Prishtinës para 15 vjetëve (disa prej tyre janë ende aty), sot e kësaj dite tregojnë për rastin kur Granit Rugova e ka “zhagitë” Goran Dragicin në një kamp në Kroaci.
Kjo legjendë urbane, ndër të pak të qëndrueshmet në sportin tonë, tregon për shumë çka në sportin tonë sepse është temë në vete si janë zhvilluar këta dy lojtarë dhe si Dragic është startues në Miami Heat e Rugova rezervist në Sigal Prishtinë.
Sidoqoftë, shembulli i Granitit dhe Dragicit më duhej për të vërtetuar edhe një herë marrëdhënien e përçudshme me lojtarët e rinj, në të gjitha sportet e në basketboll në veçanti.
Në Kosovë të rinjve nuk u japim rast se “kanë kohë” dhe më pas nuk u japim minuta në parket se “nuk kanë përvojë”.
Kjo “strategji” i ka djegur shumë lojtarë viteve të fundit dhe duket se nga kjo askush nuk ka nxjerrë mësim. Në Evropë ndërkaq, lojtarët para se t’i ndajnë në të rinj dhe me përvojë, i ndajnë në të mirë dhe më pak të mirë. Mosha, mund të jetë përparësi, edhe pse jo gjithmonë, por assesi nuk bën të jetë pengesë në zhvillimin e lojtarëve dhe shembujt e mëposhtëm e dëshmojnë këtë punë.
Eurobasketi që përfundoi në fundjavë, krahas shumë temave për analizë, e imponon edhe atë të lojtarëve të rinj dhe potencialit të tyre.
Në këtë shkrim do të ndalem në pesë lojtarë, të grup moshës U20, që kanë qenë në Eurobasket, nga të cilët para fillimit të Eurobasketit është pritur shumë dhe të transmetoj disa prej vlerësimeve të mediave ndërkombëtare dhe ekspertëve për ta dhe lojën e tyre.
Luka Doncic (18 vjeç, Slloveni, 15.1p, 8.3k, 3.8 as.)
Doncic është lojtari më i mirë i ri në Evropë dhe është aq i mirë sa njerëzit po e harrojnë moshën e tij dhe po e krahasojnë me lojtarët tjerë elitarë në Evropë, plotësisht me të drejtë, duke pasur parasysh si ka luajtur në Real Madrid sivjet.
Në Eurobasket, Doncic vetëm e fuqizoi bindjen që ekziston për të si lojtari më interesant në Evropë. Ai ishte lojtari i dytë i ekipit pas Goran Dragicit (MVP i Eurobasketit) dhe bashkë me Dragicin ishte pjesë e pesëshes së parë të turneut. Atë që Doncic e ka bërë në terren, nuk ka mundur ta bëjë asnjë lojtar tjetër dhe nuk ka gjasa ta bëjë asnjë 18 vjeçar edhe për një kohë të gjatë.
Doncic më nuk shikohet nga askush si djalosh premtues, por si një super yll dhe shumë shpejt, për shkak të karakterit të tij prej një lideri, mund të shikohet edhe si bartës i lojës edhe si idhull i tifozëve.
Lauri Markkanen (20 vjeç, Finlandë, 19.5p, 5.7k)
Për publikun e gjerë, Markkanen është zbulimi i këtij Eurobasketi, është ylli që u prodhua nga ky turne dhe arsyeja pse Finlandës iu shpagua organizimi i një pjese të kampionatit.
Markkanen është pjekur si lojtar në Universitetin e Arizonës dhe sezoni i tij i fundit ka qenë aq shpërthyes sa që është rekrutuar nga Minnesota Timberwolves, ndonëse më pas u transferua në Chicago Bulls si pjesë e këmbimit të madh për Jimmy Buttler.
Finlanda, ndër të tjerë në grup kishte Francën, Slloveninë dhe Poloninë dhe Markkanen në duele të mëdha dëshmoi jo vetëm cilësitë e tij por edhe karakter.
Ndeshja me Italinë tregoi edhe mangësitë dhe problemet në lojën e tij, por tregoi se puna e bërë nga ana e finlandezëve në basketboll është serioze dhe tash, më në fund pas Hanno Mottolas ata kanë edhe një super yll për ta pasur idhull gjeneratat e reja dhe për të siguruar suksese të reja në arnën ndërkombëtare.
Dragan Bender (19 vjeç, Kroaci, 4.3p, 3k, 1as, 15.4 min)
Për Dragan Bender (nëntor 1997), e kam problem të besoj se i ka “vetëm” 19 vjet. Për këtë lojtar flitet tash e sa vjet si “e ardhmja” dhe “super ylli i ardhshëm”, sa që më duket shumë më i vjetër.
Sidoqoftë, Bender, njëtë si kur ishte 15 vjeçar, edhe tash, vazhdon të jetë shumë premtues dhe potencial i madh.
Në kombëtaren kroate, të udhëhequr nga Aco Petrovic, e kishte shansin e artë meqë në Eurobasket mungonin Tomic, Zizic dhe Bilan. Të merremi vesh, Bender nuk luajti keq, madje ata që e kanë përcjellë me vëmendje Kroacinë pohojnë se ka luajtur më mirë sesa që tregojnë statistikat.
Mirëpo, mungesa e agresivitetit në lojë, në të dyja fazat dhe mbrojtja e butë, bënë që në momente vendimtare, Bender të mos jetë partneri që Dario Saric e kërkonte në këtë kampionat në lojën në trapez.
Kroati ka ende kohë për të përparuar dhe mësuar, por numri i tyre që presin mrekulli prej tij, është duke rënë dita ditës.
Tryggvi Hlinason (19 vjeç, Islandë, 4.2p, 2.6k, 10.9min)
Emrin e ka të zorshëm boll dhe ekipi i tij ka humbur të gjitha ndeshjet në këtë Eurobasket. Sidoqoftë Hlianson, sijet ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me Valencian dhe kishte qenë ndër lojtarët më të mirë në Evropianin U20 në Greqi.
Sidoqoftë, forma e verës nuk vazhdoi në shtator për qendrën gjigante (215cm) të Islandës. Fjala është për një rast tipit kur pritet protagonizëm nga një lojtar i ri dhe ai nuk shkëlqen.
Por, e sigurt është që niveli i treningut, lojës dhe konkurrencës do të rritet në shkuarjen e tij në Spanjë dhe nëse Hlianson reagon mirë në këto gjëra, atëherë pritshmëritë e kësaj vere mund të reazliohen në ndonjë nga verat e ardhshme.
Dino Radoncic (18 vjeç, Mal i Zi, 3p, 1k, 4as, 12.1min)
Për një 18 vjeçar puna me Bogdan Tanjevicin paraqet rast jetësor dhe Radoncic këtë rast e ka shfrytëzuar. 18 vjeçari, i cili është pjesë e ekipit të të rinjve të Real Madridit, nuk e kishte të sigurt vendin në dymbëdhjetëshen e Malit të Zi, por pas një verë të shkëlqyeshme, Tanjevic tregoi se më mirë është që në bankë të ulet një 18 vjeçar me perspektive për të ardhmen sesas një 30 vjeçar për hatër të së kaluarës ose të tashmes.
Nga Radoncic nuk ka pasur pritshmëri të mëdha në kombëtare, por ka pritshmëri të mëdha në Real Madrid, ku bashkë moshatari i tij slloven Doncic është një nga lojtarët kryesorë.
Aloja e Malit të Zi dëshmoi potencial, përjetoi verën më të mirë të jetës së tij dhe në sezonin e ri mund të fillojë të krijojë emër në Evropë.