TREPÇA - RAHOVECI
Tre barazime në 2 minutat e fundit, për fitore nga gjuajtjet e lira
10 February, 2019 @18:55
Pas tre barazimeve në 2 minutat e fundit të ndeshjes, 73-73, 75-75 dhe 77-77, ka qenë amerikani Deshon Minnis që ka shënuar një gjuajtje të lirë 3 sekonda para fundit për t’ia dhënë fitoren Rahovecit në derbi ndaj Trepçës.
Minnis kishte depërtuar në mesin e katër lojtarëve të Trepçës në sulmin e fundit të ndeshjes për të nxjerrë faulin, që i dha fitoren vreshtarëve, 77-78.
Minnis ndërkaq gjuajtjen e dytë të lirë nuk e dha, ashtu që të ecin sekondat dhe shuti i fundit i Trepçës u vonua, për të kapur vreshtarët fitoren.
Rahoveci me këtë fitore është barazuar me bilanc me Yllin, me të cilët po luftojnë për vendin e dytë në Superligë, 12-6.
Fred Richardson me 23 pikë në 40 minuta lojë dhe 9 kërcime ka qenë më efikasi te Rahoveci, ndërsa 15 të tjera i ka shënuar Deshon Minnis.
Performanca tejet e mirë e Samir Zekiqit në anën tjetër te mitrovicasit nuk ka mjaftuar. Zekiqi luajti me 27 pikë (5/8 për tre pikë) në 40 minuta sa i kaloi në parket.
Me këtë fitore Rahoveci tash ka bilanc më të mirë në duele të ndërsjella me Trepçën, 2-1.