Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

E TRETA E VËRTETA?

Trepça perfekte në gjysmëfinale, siguron finalen e tretë radhazi

Foto: KBTrepca/ fb

Trepça perfekte në gjysmëfinale, siguron finalen e tretë radhazi


28 April, 2024 @23:58

Për herë të tretë rresht në tre stinorët e fundit, Trepça është në finale të playoffit të Superligës. Kësaj radhe, “minatorët” kanë shënuar fitore perfekte në gjysmëfinale, duke eliminuar Prishtinën me 3-0. Këtë të fundit, që i dërgoi në finale edhe më bindshëm se të tjerat, 82-69.

Në përballjen e tretë të serisë ekipi i Adis Beciragicit nuk la vend për dilema se a do të vazhdojë seria, duke këputur shpresat e Prishtinës që në pjesë të parë të lojës, kur thelluan epërsinë në çerek të dytë dhe mbyllën pjesëlojën me rezultat 43-31.

Në pjesë të dytë Trepça mbajti rezultatin dhe siguroi fitoren me 13 pikë dallim për të arritur finalen e tretë radhazi. Kësaj radhe Brandon Edëards shënoi më së shumti pikë për mitrovicasit. Ai luajti me 20 pikë dhe bëri 12 kërcime për të kryer lojën me double-double. I vetmi në këtë ndeshje që e arriti këtë.

PLAYOFF SKEMA

Pos tij, u dalluan edhe Darnell Edge me 15 të shënuara, Kevin-Bracy Davis me 14 dhe Mikaile Tmusic me 12 të shënuara.

Prishtina mbeti pa finale përsëri. Agonia e bardhekaltërve për të mos arritur finalen po vazhdon që prej stinorit 2018/19! Ekipi i Albert Sylejmanit nuk arriti të bëj më shumë në ndeshjen e tretë dhe mbylli stinorin të dielën mbrëma.

Me nga 16 pikë të shënuara, më efikasit te Prishtina ishin Devonte Clark dhe Malcolm Armstead, ndërsa 12 të thera i shënoi Diamond Stone. Derisa për Prishtinën stinori përfundon këtu, Trepça në finalen e tretë do të kërkojë titullin e parë që prej vitit 2012. E a do të jetë e treta e vëreta për mitrovicasit, mbetet të shihet. Trepça në finale pret fituesin e gjysmëfinales Peja-Ylli, ku rezultati aktual në seri është 1-2 në të mirë të suharekasve.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga