MEDIA
Trepça pritet t’i kryejë obligimet në BIBL
4 January, 2017 @11:23
Kërcënimi i BIBL për mundësinë e përjashtimit të Trepçës nga kjo garë që në stinorin debutues të saj, si duket nuk do të ndodh.
Kjo pasi që Besim Braha, zyrtar i klubit nga Mitrovica, për Kohën Ditore sot ka thënë se obligimet do të shlyhen deri të premten, kur është edhe afati i fundit i caktuar nga liga ballkanike.
Trepça, sipas Brahës i ka borxh ligës 6 mijë e 500 euro, të cilat Braha ka thënë se deri të premten përkundër vështirësive do t’i sigurojnë.
“Gjithsesi deri të premten do të sigurojmë mjetet dhe do të kryejmë obligimet. Nuk është se nuk kemi vështirësi, por mjetet do t’i sigurojmë,” ka thënë ai, shkruan Koha Ditore sot.
BIBL pak para Vitit të Ri ka bërë të ditur se Trepça i ka shkelë të gjitha afatet dhe nëse oblgimet nuk shlyhen deri më 6 janar 2017, ekipi do të përjashtohet nga garat.
Përndryshe, Trepça që po debuton këtë stinor në BIBL është skuadra më e ndjekur nga tifozët e saj në Kosovë, pasi që thuajse në çdo ndeshje të saj “Minatori” është përplotë.