FITORE PËR T'IU AFRUAR KREUT
Trepça rrënon Lirinë në pjesë të dytë
27 October, 2024 @21:00
Me një fitore bindëse, që erdhi pas golave të shënuar në pjesë të dytë, Trepça i është afruar dyshes kryesuese në Ligë të Parë - Grupi A dhe ua ka dërguar mesazhin se do të luftojë deri në fund të stinorit për një vend në Superligë.
Mitrovicasit e drejtuar nga Emin Baliqi kanë mposhtur sot Lirinë e Prizrenit që nuk është në formë fare, ku pas pjesës së parë pa gola, në pjesë të dytë vendasit shpërthyen për të fituar bindshëm ndeshjen, Trepça - Liria 3-0 [Labinot Ibrahimi 55’, Kamo Hoala 73’, Ardit Miftari 86’].
Fitorja ka bërë që Trepça të arrijë kuotën e 20 pikëve pas 10 xhirove të para të stinorit dhe të jetë vetëm dy pikë larg dyshes kryesuese, Vëllaznimit e Drenicës. Në anën tjetër, Liria në krizë, nuk ka ndërruar asgjë as nën drejtimin e trajnerit të ri Bledar Devolli, që tashmë ka përjetuar edhe humbjen e dytë në dy ndeshjet e drejtuara, ndërsa klubi qëndron i shtati në renditje me 11 pikë - larg objektivave të premtuara në fillim të stinorit.