PARA EUROPIANIT
U20 në fazën e fundit të përgatitjeve
1 July, 2016 @22:10
Përfaqësuesja e Kosovës U20 ka hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve për Kampionatin Europian të Divizionit B.
Të udhëhequr nga përzgjedhësi Ilir Selmani dhe ndihmësi i tij, Ismet Ferati, reprezentuesit kosovarë synojnë të kenë paraqitje sa më të mirë në këtë garë.
“Kemi hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve, ku do t’i zhvillojmë disa ndeshje miqësore për të parë më për së afërmi formën e lojtarëve tanë. Ka një muaj që kemi filluar me përgatitjet intensive nga dy herë në ditë dhe deri më tani gjërat kanë shkuar sipas planit dhe programit të paraparë. Ende jemi në fazën e selektimit të basketbollistëve, pasi në përbërje i kemi 15 basketbollistë, ndërsa vetëm 12 prej tyre do të jenë pjesë e Kampionatit Evropian. Ndeshjet miqësore me Bullgarinë do të jenë shumë të mirëseardhura, pasi që do t’i provojmë të gjithë basketbollistët që i kemi në dispozicion dhe më pas do të vendosim për ata 12 që do të udhëtojnë në Greqi. Ne jemi të vetëdijshëm se grupi është shumë i vështirë pasi që aty janë Britania e Madhe, Greqia, Holanda dhe Shqipëria, por ne premtojmë se do të angazhohemi maksimalisht dhe do të bëjmë më të mirën për të treguar basketboll sa më cilësor. Nëse e realizojmë një gjë të tillë ne besojmë se fitoret nuk do të mungojnë. Kemi mangësi në lojtarët shtatëlartë, por ne synojmë që këtë ta kompensojmë me shpejtësinë e lojtarëve shtatëshkurtër,” ka thënë Selmani për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Shiko gjithashut: Lista e ngushtë e Selmanit
Kosova gjendet në grupin C, së bashku me Britaninë e Madhe, Greqinë, Holandën, Irlandën dhe Shqipërinë.
Kosova do t’i zhvillojë ndeshjet e saj në qytetin Halkida të Greqisë në datat 15-24 korrik.