PROBLEME INFRASTRUKTURORE
FIBA alarmon Kosovën para kualifikimeve për Eurobasket
30 June, 2016 @19:11
Kur po vazhdojnë përgatitjet për një përfaqësim sa më të mirë të Kosovës, për herë të parë në kualifikimet për Eurobasket 2017, drita e kuqe e alarmit është ndezur pas letrës të dërguar nga FIBA.
Federata e Basketbollit të Kosovës ka lajmëruar FIBA-n se Pallati i Rinisë dhe i Sporteve në Prishtinë do të jetë vendi ku përfaqësuesja e Kosovës do t’i luajë ndeshjet si vendas, por për shkak se kjo palestër nuk i mbush kriteret infrastrukturore, ka ardhur edhe reagimi i FIBA-s.
Me këtë rast, FBK ka kërkuar menjëherë nga autoritetet qeveritare që të fillojnë punimet në këtë palestër, në mënyrë që të plotësohen kriteret e kërkuara nga FIBA.
Më poshtë, mund ta lexoni letrën e plot të FIBA-s dërguar FBK-së, të nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe, Kamil Novak.
“Siç e dini, ndeshjet kualifikuese për Eurobasket 2017 janë duke u afruar shumë shpejtë dhe Përfaqësuesja juaj do të merr pjesë për herë të parë në këtë garë. Për këtë arsye, ne dëshirojmë t’i theksojmë disa çështje lidhur me palestrën.
Në mënyrë që të përputheni me standardet e sallës, të caktuara enkas për ndeshjet kualifikuese për EuroBasket 2017, por gjithashtu për gara tjera të FIBA Evropës, si Kampionatet Evropiane për gjenerata e reja, është i domosdoshëm rinovimi i parketit në palestrën në Prishtinë. Gjithashtu, zhveshtoret duhet të rinovohen dhe semafori duhet të përmbushë nivelin e certifikimit FIBA 1.
Zona për doping kontroll duhet t’i përmbush standardet ndërkombëtare të përcaktuara në Rregulloren e Brendshme të FIBA-s dhe protokollit të WADA-s. Përveç kësaj, duhet siguruar edhe infrastruktura e nevojshme për media, Mixed Zone dhe salla për konferencë të medieve. Keni parasysh se përjashtimi i bërë për Sigal Prishtinën për këtë sallë është bërë vetëm për sezonin 2015/2016 të FIBA Europe Cup vetëm pas premtimeve që ndryshimet/përmirësimet e nevojshme do të bëhen për të ardhmen. Përjashtime të tilla nuk mund të bëhen për sezonin 2016/2017 nëse nuk është bërë asnjë ndryshim.
Ju falënderojmë paraprakisht për bashkëpunimin tuaj në këtë çështje të rëndësishme dhe presim përgjigje nga ju.”
Me respekt,
Kamil Novak
Drejtor Ekzekutiv, FIBA Europe”