EKSKLUZIVE
Ulpiana Emra: Prishtina, e vetmja që na bën konkurrencë
3 December, 2016 @8:44
Basketbollistja prizrenase, Ulpiana Emra, që këtë stinor kaloi nga Prishtina te Penza, është prononcuar ekskluzivisht për Borozani.com para derbit të madh të Ligës së Femrave në basketboll.
Ajo ka thënë se derbi do të arsyetojë epitetin, ndërsa shpreson në përkrahjen nga tribunat për të marrë titullin e kampionit vjeshtor.
“Mendoj që loja do të jetë mjaft e fortë, ashtu edhe si e meriton një derbi. Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, pasi që dihet se fitorja na bën kampionë vjeshtor. Prishtina është ekip i vetëm që na bën konkurrencë në ligë, ndërsa ne shpresoj të kemi përkrahjen e duhur nga ana e qytetit të Pejës për të arritur te titulli,” ka thënë Emra.
Ndeshja ndërmjet Penzës dhe Prishtinës zhvillohet të dielën në “Karagaç” të Pejës. Të dyja skuadrat, që po dominojnë ndër vite basketbollin e femrave në Kosovë, kanë bilanc të njejtë para derbit, që përkon me xhiron e fundit të stinorit vjeshtor. Edhe Penza edhe Prishtina janë me nga 6 fitore nga 6 ndeshje para duelit të nesërm.