Të gjitha lajmet

KOLUMNE

Vallëzimi i fundit

Vallëzimi i fundit

Shkruan: Blerim Myftiu

9 May, 2020 @12:52

Duke lundruar para disa javësh në Facebook, më doli përpara përmbledhja e stinorit epik 1995/96 të Chicago Bulls, në të cilin u pat shënuar rekordi i atëhershëm i NBA-së me më së shumti fitore në pjesën e rregullt prej 82 ndeshjesh – gjithsej 72 fitore me vetëm 10 humbje.

Kjo ishte vetëm sekuencë nga dominimi i Chicagos në dekadën e fundit të shekullit të kaluar në të cilën dekadë ekipi i “qytetit me erë” u pat kurorëzuar 6 herë me titullin e kampionit. Derisa këtë video të shkurtër e shpërndava në faqen time personale filluan të vinin komentet e shokëve me kundërargumente që ndonjë ekip tjetër, në një epokë tjetër, ishte më i mirë dhe më i suksesshëm se sa ky i Chicagos.

Mike Jordan

Njëri prej tyre e renditi ekipin e Los Angeles Lakersit të 2009/10 me Kobe Bryantin, Pau Gasolin, Derek Fisherin e Lamar Odomin, kurse tjetri shënoi përbërjen (pajtohem të hatashme) të San Antonio Spursit nga 2013/14 me Tim Duncanin, Tony Parkerin, Manu Ginobilin, Kawhi Leonardin e Boris Diawn. Phil Jackson ishte në krye të Lakersave të 2010-s, kurse Greg Popovici në krye të Spursave të 2014-s – respekt maksimal dhe pa asnjë koment për këta dy gjeni të basketbollit!

Çështja e ekipit më të madh apo e lojtarit më të madh të historisë në çfarëdo sporti qoftë, është relative dhe gjithmonë ka argumente pro dhe kundër njërës apo tjetrës. Mendova në ato çaste se është e kotë t’i kundërvihesh njërit apo tjetrit duke u thënë se “Chicago Bullsi im është ekipi më i madh i të gjitha kohëve” apo se “Michael Jordani i fëmijërisë sime” është lojtari më i madh i lindur dikur që ka lozur me top në mes të dy shportave.

Mike Jordan

Arrita në përfundimin se ajo së cilës i jemi dëshmitarë në fëmijërinë apo rininë tonë mbetet kujtimi më i ëmbël dhe ngulitet në mendjet tona se pikërisht ajo është më e mira e të gjitha kohëve. Kjo pashmangshëm bart me vete pjesën dominuese subjektive, ku vlerësimi kritik – pa marrë parasysh sa argumente të përdorni – bie në plan të dytë. Kësisoj, unë i lindur më 1981, patjetër se Bullsat e 90-ve dhe Jordanin do t’i konsiderojë më të mirët e të gjitha kohëve.

Për dikë të lindur më 1971, më të mirët do të jenë Celticsat dhe Larry Birdi apo Lakersat dhe Magic Johnsoni. Babai im do ta kujtojë si më të mirin Wilt Chamberlainin. Shokët e mi pak më të ri do të thonë atë që thanë për Bryantin apo Duncanin, kurse fëmijët dhe të rinjtë që shikojnë tani NBA nuk do të dinë lojtarë më të mirë se Stephen Curry apo James Hardeni.

Mike dunk

Dokumentari i shumëpritur dhe i cili po transmetohet këto ditë pandemie me nga dy episode çdo të hënë në Netflix, hedh dritë mbi stinorin e fundit (1997/98) të Chicago Bullsit legjendar, por me kalime në kohë e përcjell gradualisht zhvillimin e Michael Jordanit si lojtar si edhe të Chicagos si ekip, i cili nga një prej organizimeve më të dobëta të ligës shndërrohet gradualisht në ikonën më të popullarizuar të saj. Në 6 episodet e deritanishme të transmetuara, në secilin prej tyre ka dromca nga jeta e lojtarëve të tjerë të rëndësishëm të ekipit.

Mësojmë kësisoj fëmijërinë e vështirë të Scottie Pippenit në një familje të varfër me 11 fëmijë, baba të paralizuar dhe një vëlla të hendikepuar, i cili arrin mezi të sigurojë një bursë kolegji duke mos ditur se kështu do të lind “lojtari më i madh në rolin dytësor në NBA”. Jemi dëshmitarë të fëmijërisë po aq të vështirë të Dennis Rodmanit, i cili hidhet në rrugë në moshën 18-vjeçe nga nëna në mënyrë që ta mësojë jetën dhe fitojë atë për vete, si edhe transformimin gradual të tij në një figurë ekscentrike basketbolli, por gjithsesi të rëndësishme në mbrojtjen e Chicagos së atëhershme.

michael jordan

Shohim personazhin e jashtëzakonshëm, spiritual dhe intelektual, të trajnerit Phil Jackson dhe shpikjen e sulmit ikonik trekëndësh që bëhet trademark i Bullsit në atë kohë. Tregohet gjenialiteti i Jacksonit që e mëson Jordanin që nuk ka gjë të keqe që ndonjëherë topi t’i jepet edhe ndonjë bashkëlojtari, që e menaxhon Rodmanin e komplikuar dhe e bën pjesë integrale të ekipit, që e arrin ta bind Pippenin që të mbetet në skuadër përkundër se është lojtari i gjashtë më i paguar i Chicagos dhe i 122-ti i NBA-së! Medoemos aty është edhe “Jordani majtak” apo “Jordani evropian”, Toni Kukoc.

Rrëfimi për vetë yllin e ekipit dhe të dokumentarit, Michael Jordanin, është vepër në vete. I lindur po ashtu në një komunitet të polarizuar racor të kohës në Karolinën e Veriut, Jordani ndjek hap pas hapi ëndrrën e tij fillestare – të jetë më i mirë se vëllai. Do të përfundojë duke qenë më i mirë se të gjithë të tjerët. Veçoria kryesore e personalitetit të Jordanit del të jetë: gara, rivaliteti apo konkurrimi. Sikur që dëshmojnë të gjitha intervistat e tij, incizimet e rastit të stërvitjeve dhe të bisedave, si edhe të gjitha komentet e dëshmitarëve të kohës (qofshin lojtarë apo gazetarë), Jordani është i interesuar që në çdo gjë të jetë më i miri. Qoftë të jetë ajo stërvitja, vetë ndeshja, golfi (njëri prej pasioneve të tij më të mëdha), lojërat fëmijërore që luhen para lojës apo gjatë pushimeve, qoftë të jetë njëri prej veseve të tij më të këqija – bixhozi.

Michael Jordan

Anekdota e John Paxsonit, snajperistit të ekipit në tripletin e parë 1991-93, sqaron këtë gjë: “Jordani, Harperi e të tjerët luanin në ulëset e pasme të aeroplanit me letra në shuma prej qindra apo mijëra dollarësh. Kurse unë, Longley e disa luanim po ashtu me letra, por sa për të luajtur, me 1 apo 2 dollarë. Jordani na afrohej dhe e shprehte dëshirën për të luajtur me neve. Ne e pyesnim nëse po tallej sepse e dinte që po luanim për 1 dollarë. Ai do të na përgjigjej duke thënë se qëllimi ishte që në ‘xhepin tim ta kem paranë tuaj’”. Kësisoj është etja për rivalitet e Jordanit. I njëjti rivalitet i cili shihet në episodin e pestë gjatë stërvitjes së Dream Teamit amerikan në Lojërat Olimpike të Barcelonës në 1992, ku në një incizim të rrallë shihet një garë e fortë sikur të ishte lojë e vërtetë ndërmjet ekipit të Jordanit në njërën anë dhe atij të Johnsonit e Barkleyt në anën tjetër.

Po të mos ishte ky vullnet për garë, Michael Jordani nuk do të ishte ai i cili është – 6 herë kampion i NBA-së, secilën herë MVP i finaleve, 5 herë MVP i stinorit të rregullt, 14 herë i zgjedhur në All-Star, 10 herë i zgjedhur në pesëshen më të mirë të ligës, 9 herë në atë të mbrojtjes, rookie i stinorit 1985, 10 herë shënuesi më i mirë i ligës, kampion olimpik në 1984 e 1992. Përfundon karrierën me 32292 pikë apo 30,1 pikë për ndeshje. Për mua dhe shokët e mi që në vitet e trazuara të 90-ve zgjoheshim në 3 apo 4 të mëngjesit për t’i përcjellë finalet e mëdha kundër Barkleyt të Pheonix Suns, Paytonit e Kempit të Seattle Supersonics apo Stocktonit e Maloneit të Utah Jazz, Michael Jordani dhe Chicago Bulls mbeten kujtimet më të ëmbla dhe ikonat më të mëdha të basketbollit!

FEUILLETON: MJ (4)

Michael Jordan (4) “I Love This Game”

27 April, 2020 @11:00

Pjesa e fundit (LEXO: Njeriu që u bë simbol (I), Më i miri i ekipit (II) dhe

FEUILLETON: MJ (3)

Michael Jordan (3) Ai s’ishte vetëm basketbolli, ai ishte sporti

26 April, 2020 @11:00

Pjesa e tretë (LEXO: Pjesën e parë; LEXO: Pjesën e dytë) Vjen koha e lëndimit. Jordan e…

FILLOJNË STËRVITJET

Stërvitjet në NBA fillojnë më 1 maj

26 April, 2020 @0:27

Para pak çastesh, ESPN ka bërë të ditur se më 1 maj do të fillojnë stërvitjet e skuadrave në NBA. …

FEUILLETON: MJ (2)

Michael Jordan (2) Më i miri i ekipit

25 April, 2020 @11:00

Pjesa e dytë (LEXO: pjesën e parë) Sidoqoftë, vjen dita kur Michael Jordan një ditë zgjohet nga gjumi…

FEUILLETON: MJ (1)

Michael Jordan (1) Njeriu që u bë simbol

24 April, 2020 @15:55

“Number 23: M. J! Yeah” Reflektori përcjell basketbollistin me numër 23 në parket, ndërsa rreth 20 mijë shikues brohorisin e…

Të gjitha lajmet nga NBA