BASHKIMI
Vështirë pa Jonesin
1 March, 2016 @23:22
Skuadra e Bashkimit që ende nuk ka shënuar asnjë fitore në Grupin C të ligës ballkanike, nesër mbrëma do ta ketë rastin e fundit për të kërkuar gjysmëfinalen dhe ekipit prizrenas i nevojitet vetëm fitorja dhe asgjë tjetër.
Mirëpo, largimi i lojtarit më të mirë të tyre, Marcel Jones këto ditë, do ta fut ekipin në telashe edhe më të mëdha para kësaj ndeshjeje shumë të rëndësishme.
“Ky është rasti ynë i fundit për një vend në gjysmëfinale. Më shumë se rivali na mundojnë problemet tona që janë krijuar posaçërisht pas largimit të Marcel Jonesit,” ka thënë Petar Mijovic, trajner i ekipit portokallezi para ndeshjes së nesërme për faqen zyrtare të FBK-së.
“Megjithatë, ne përkundër të gjithave nuk guxojmë të dorëzohemi. Teodo është favorit, ndërsa ne do të përpiqemi të luajmë ndeshje të fortë,” ka shtuar ai.
Ndeshja Teodo - Bashkimi nis nesër mbrëma në ora 18. Teodo nuk di për humbje në Grupin C dhe ka bilanc 3-0 prej tre ndeshjeve të para, derisa Bashkimi ka bërë të kundërtën e rivalit deri tash, 3 ndeshje dhe 3 disfata.