NË SUPERLIGË, VETËM PËRMES BARAZHIT

Vushtrria mposhti 2 Korrikun, e pret barazhi ndaj Lirisë
18 May, 2025 @20:20
Vushtrria me mendje ishte te Prishtina e Re, derisa luante ndaj 2 Korrikut. Një gabim i Prishtinës së Re do të mund të dërgonte Vushtrrinë direkt në Superligë, por kur liderja shënoi vazhdimisht ndaj Kikës, atëherë Vushtrria kreu punë ndaj 2 Korrikut, sa për tu ndarë me fitore në fund të stinorit në Ligë të Parë - Grupi B.
2 Korriku - Vushtrria 2-3 [Redon Bejta 4’, Steven Këabo 67’—- Viktor Angelov 25’, Albijon Shurdhiqi 60’, Urim Statovci 71’] ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, ndërsa Vushtrria që ishte në vend të dytë, mbeti aty dhe tash Superligën duhet ta kërkojë përmes barazhit. Aty e pret Liria e Prizrenit, që kreu Grupin A të Ligës së Parë në pozitë të njëjtë. Nëse Vushtrria kalon Lirinë në barazhin e parë, atëherë do të luajë përballjen vendimtare të barazhit me pozitën e tetë të Superligës (aktualisht, Llapi).
Vushtrria përndryshe e drejtuar nga Armend Dallku, kryen stinorin me 67 pikë nga 27 ndeshje, 2 më pak sesa fituesja e grupit Prishtina e Re. 2 Korriku, mbyll stinorin në pozitë të gjashtë, me 30 pikë.