FITORE E RADHËS

Vushtrria vazhdon ndjekjen e kreut
27 April, 2025 @20:05
Një fitore e ardhur në pjesë të dytë, ka ardhur për Vushtrrinë e Armend Dallkut sot. Mjaftueshëm për të vazhduar ndjekjen e lideres Prishtina e Re dhe shpresës për gabim të tyre, derisa ekipi nga qyteti i vjetër ka shënuar fitore ndaj KEK-ut sot në “Ferki Aliu”, Vushtrria - KEK [Daut Maxhuni 48’, Urim Statovci 78’].
Ka qenë Daut Maxhuni që i dha jetë me fillimin e pjesës së dytë ekipit të tij, ndërsa pas konsolidimit të lojës, sulmuesi shtatëlartë i ekipit, Urim Statovci goditi përfundimisht “elektricistët” të cilët më nuk patën mundësi për pikë.
Fitorja, bën që Vushtrria në pozitë të dytë të renditjes, pas 24 ndeshjesh të ketë 58 pikë, 2 më pak se liderja Prishtina e Re. Në anën tjetër, KEK-u është i pesti me 30 pikë nga 24 ndeshje, pasi përjetoi humbjen e tetë sezonale.