ÇEREKFINALJA E KUPËS
BOROZANI/Arkiv
Ylli do Final Fourin, pret Bashkimin
11 February, 2015 @10:35
Skuadra e Yllit të Suharekës që ka kapur një seri prej 5 fitoresh me radhë në Superligë, duke i mposhtur të gjithë kundërshtarët me radhë, tre prej të cilëve (Trepça, Bashkimi e Peja), tashmë ka ngritur dëshirat dhe po kërkon Final Fourin e Kupës së Kosovës.
I udhëhequr nga Agron Berisha, Ylli ka dalë të jetë ekipi më i rehatuar me basketbollistët e huaj, treshe amerikane kjo që u koordinua për mrekulli me vendorët në ekip dhe gjithnjë e më shumë po shënon ngritje në lojë.
Të motivuar pas fitores ndaj Pejës dhe në palestrën e tyre - suharekasit kërkojnë që të mposhtin prizrenasit për të arritur te katërshja finaliste e Kupës.
Në anën tjetër, Bashkimi, nuk tregoi lojë të mirë ndaj Prishtinës, e le më t’i bëj ballë. Përforcimet e fundit, duket se nuk ishin të ambientuara në ekip, derisa forcat vendore dukeshin qartë më stabile të udhëhequra nga Endrit Hysenagolli, Kreshnik Juniku e Muhamed Hasani.
Si finalist aktual i Kupës së Kosovës, Bashkimi po synon që të arrijë pak më shumë këtë herë, pra trofeun e Kupës. Mirëpo përballë do ta ketë një skuadër që po shkelë rivalët. E Ylli shpirtin ekipor e ka treguar tashmë!
Një derbi thuajse lokal, që ia vlen të shikohet nga afër.