DRILONI

BOROZANI/Lis Dorambari/Arkiv
Të identifikohen përparësitë dhe dobësitë
10 February, 2015 @23:23
Lojtari më i mirë i ekipit të Pejës në ndeshjen e sontme, Peja-Craiova, Drilon Hajrizi ka postuar në llogarinë e tij personale në Facebook, arsyet e humbjes dhe ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime në ekip, ashtu që të arrihen rezultaltet.
Mitrovicasi Hajrizi, që erdhi në Pejë tre stinorë më parë, si kampion nga Trepça, ka shkruar:
“Shpirti po më dhemb kur po shoh Shqiponjat duke brohoritur për fitore, e ekipi ynë nuk është në gjendje të plotësojë një dëshirë të këtyre dashamirëve. Posedimi i lojtarëve me emër nuk nënkupton automatikisht rezultat pozitiv për ekipin. Që ekipi të ketë rezultate pozitive, duhet funksionuar si një trup, si një shpirt dhe një mendje me një qëllim. Peja ka nevojë për disa ndryshime dhe shpresoj që ato të ndodhin me urgjencë përndryshe, rezultatet do të mungojnë. Jo çdo herë përvetësimi i madh i lojtarëve nënkupton shtim të vlerës ekipore sepse nganjëherë reduktimi nënkupton hapje dhe frymëzim më i lirshëm ekipor. Thërras që klubi ynë të identifikojë përparësitë dhe dobësitë dhe kundruall këtyre të ndërmarrë masa në të mirë të klubit.”
Driloni përfundoi ndeshjen me efiçencë më të mirë te Peja. Ai shënoi 9 pikë, regjistroi 8 kërcime e 4 asistime, bashkë me dy bllokada - në performancën e tij sonte.
Peja ka regjistruar humbjen e parë në fazë të dytë të Balkan League sonte nga Craiova. Mirëpo, përkundër humbjes, pejanët janë ende në vendin e parë të Grupit C, derisa do të udhëtojnë javën që vjen në Rumani për tu përballë me kundërshtarin e njejtë.