Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ISH-KAMPIONI I KTHEHET FITORES!

Ylli i kthehet fitores, duke ia shkaktuar humbjen e radhës Vëllaznimit

Foto: FBK

Ylli i kthehet fitores, duke ia shkaktuar humbjen e radhës Vëllaznimit


9 December, 2023 @18:48

Dy skuadra që para dy ndeshjeve ishin në formë më të mrië në Superligë u takuan në hapje të xhiros XII, ndërsa Ylli iu rikthye fitores pas humbjes ndaj Pejës, në dëm të Vëllaznimit që pësoi për të dytën herë radhazi, pas disfatës nga Trepça.

Ylli mposhti Vëllaznimin me 8 pikë dallim në fund, ndërsa çereku i fundit u tregua vendimtar, ku suharekasit e drejtuar nga Kostas Flevarakis bënë dallimin 21-12 për të fituar ndeshjen me rezultat 83-75. Në kohën kur ekipet shkuan në pushim pjesëlojësh rezultati ishte 44-41 në të mirë të vendasve në “13 qershori”.

Vëllaznimi riktheu rezultatin në favor të vetin pas çerekut të tretë 18-25, por në fund Ylli u rikthye fuqishëm për të ndalë ekipin e Josip Plantakut në 12 pikë dhe për të fituar ndeshjen. Fitorja bën që Ylli të ketë bilanc 7-5 pas 12 ndeshjesh, ndërsa për momentin është në vend të dytë të renditjes tabelare, kurse Vëllaznimit i neutralizohet bilanci në 6-6 pas 12 ndeshjeve, derisa kishte arritur 6-4 pas serisë së jashtëzakonshme prej gjashtë fitoresh radhazi.

TABELA AKTUALE

Tre lojtarë kanë kryer punën kryesore te Ylli sonte. Jan Palokaj me 25 pikë, 3 asistime e 5 kërcime ka qenë koshashënuesi më i mirë i ekipit. Jalen Nesbitt ka dhënë 23 pikë, 2 asistime e 8 kërcime, bashkë me 4 topa të rrëmbyer, kurse 14 pikë i dha kapiteni Gëzim Morina që bëri edhe 6 asistime e 5 kërcime në fitore.

Te Vëllaznimi dyshja e dalluar e ekipit Sam Sessoms dhe Jalen Ray kanë qenë në element sonte. I pari dha 24, i dyti 17 pikë, derisa të tjerët nuk arritën shifër dyshifrore të pikëve, për tu pajtuar në fund me humbjen e gjashtë kampionale.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga