SIGAL PRISHTINA - GOLDEN EAGLE YLLI
Ylli në gjysmëfinale, mposhtë Prishtinën e përgjysmuar
7 April, 2021 @20:25
Liga Unike ka mësuar gjysmëfinalistin e katërt dhe të fundit të edicionit të saj të parë historik.
Me fitore me rezultat të thellë 70-87 ndaj Sigal Prishtinës, Golden Eagle Ylli e ka regjistruar emrin e tij në gjysmëfinale të Ligës Unike.
Prishtina në këtë ndeshje u paraqit vetëm me lojtarë vendorë, duke i kursyer të huajt për ndeshjen e fundit të Superligës përballë Bashkimit në fundjavë, që ka rëndësi të madhe për bardhekaltërit që të sigurojnë ekzistencën apo edhe kualifikimin në Play Off.
Megjithatë, mungesat e lojtarëve si Nigel Johnson, Tevin Mack dhe Seth LeDay nuk u vërejtën edhe aq shumë në pjesën e parë, pasi Prishtina u tregua rivale mjaft e denjë, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, në të cilën Golden Eagle Ylli pati dominim të plotë.
Në këtë fitore të Yllit u dallua Samir Zekiqi me 23 pikë dhe Valon Bunjaku me 17 pikë e 11 asistime, derisa te Prishtina lojë të mirë tregoi qendra Fisnik Rugova me 24 pikë, duke shënuar 4 treshe.
Në gjysmëfinale të Ligës Unike, Golden Eagle Ylli do të përballet me skuadrën e vetme të kualfikuar në gjysmëfinale nga Shqipëria, Goga Basket, ndërkaq gjysmëfinalja tjetër do të luhet mes Pejës dhe Rahovecit.
Kujtojmë se ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës UNIKE do të zhvillohen me datat 13-14 Prill në Durrës.