LETONIA FITON DERBIN BALTIK!
Zagars me rekord botëror, Letonia demolon Lituaninë për vend të pestë
9 September, 2023 @15:57
Letonia është treguar e pamëshirshme ndaj fqinjëve lituanezë në derbin e Baltikut për vend të pestë në Kampionatin Botëror.
Pas pjesës së parë të kaluar me çerekë të parë 28-20 dhe 21-18 në çerek të tretë, Letonia ka shkëlqyer në mbrojtje duke i ndalë lituanezët në 9 pikë, karshi 28 të shënuarave, për të mbyllë dilemën e fituesit pas 30 minutash lojë.
Çereku i katërt i ndeshjes u luajt sa për të thënë, pasi që epërsia 76-47 pas 30 minutash ishte e paarritshme për Lituaninë, që mbylli Botërorin 2023 si e gjashta në renditje.
Letonia e fitoi ndeshjen 98-63 duke regjistruar arritjen më të madhe ndonjëherë në Botërore, ndërsa Arturs Zagars vendosi rekord të ri në Botërore duke e mbyllur ndeshjen me 17 asistime. Asnjëherë më parë një lojtar në një Botëror nuk ka arritur numër të tillë të asistimeve. Rekordi i deritashëm ka qenë, 15.
Sa i përket lojtarëve në fitore, Arturs Kurucs ka qenë koshashënuesi më i dalluar i letonezëve, me 20 pikë të shënuara, ndërsa Rolands Smits dha 17 të tjera në fitoren e ekipit të drejtuar nga Luca Banchi.
Te Lituania, ku asgjë s’funksionoi sot, koshashënuesit më të mirë ishin Rokas Jokubaitis me 16 dhe Jonas Valanciunas me 15 të shënuara. Me këtë humbje, ekipi i drejtuar nga Kazys Maksvytis mbyll Botërorin në vend të gjashtë, derisa Letonia përfundon e pesta.
WORLD CUP RECORD HOLDER.
— FIBA Basketball World Cup 2023 (@FIBAWC) September 9, 2023
Arturs Zagars made history with 17 assists #FIBAWC #WinForLatvia pic.twitter.com/aTL3oqXVoS